Dy vëllezërit nga Greqia hapin ekspozitë në Prishtinë
RTKlive
Zyra Ndërlidhëse Greke në Prishtinë dhe Muzeu “Macedonian Struggle and Modern History of Macedonia” në Selanik, do të hapin një ekspozitë periodike të fotografive, "Yiannis and Miltos Manakia- Njerëzit prapa objektivit".
Ekspozita do të prezantohet në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë nga data 25 prill deri më 5 maj 2023, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra greke.
Kjo ekspozitë, sipas tyre, paraqet një mundësi të rrallë për publikun për të parë një koleksion të madh fotografish të realizuara nga dy vëllezërit, Yiannis dhe Miltos Manakia, në dy dekadat e para të shekullit të 20-të.
Sipas njoftimit, vëllezërit Manakia nga Grevena e Greqisë, ishin fotografë dhe kineast vizionarë, të cilët vizituan fshatrat dhe qendrat urbane të Ballkanit, duke dokumentuar jetën e njerëzve punëtorë, momentet e rekreacionit, monumentet arkitekturore dhe ngjarjet historike dhe sociale që sinjalizuan ndryshimet e gjysmës së parë të shekullit të 20-të.
Gjithashtu në Prishtinë do të prezantohet edhe një film dokumentar i krijuar ekskluzivisht për qëllimet e ekspozitës.























