Sigal Prishtina: FBK në koordinim me Trepçën e caktuan terminin e ndeshjes
Uran Krasniqi / RTKLive
KB Sigal Prishtina e ka akuzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) se në koordinim me KB Trepçën e kanë caktuar terminin për ndeshjen e pestë gjysmëfinale, që sipas tyre është në kundërshtim me rregulloren.
Sipas një komunikate nga klubi i kryeqytetit, parregullsitë, kurdisjet, ryshfeti dhe presionet nuk po kanë të ndalur.
"Parregullsitë, kurdisjet, ryshfeti e presionet nuk kanë të ndalur dhe si vazhdimsi e kësaj klike keqbërësish, ju njoftojmë se FBK në koordinim të plotë me KB Trepca e në kundërshtim flagrant me rregulloret e vetë Federatës kanë lajmëruar arbitrarisht për termin të ndeshjes së pestë në kundërshtim me Propozicionet e Garave. Për shkak të pamundësisë së zhvillimit të ndeshjes të Enjten në mungesë të orarit në palestër si rezultat i ndeshjes ndërkombëtare të hendbollit mes Kosovës dhe Malit të Zi, kemi kërkuar që ndeshja të zhvillohet ose të Mërkurën ose të Premten pra 24 orë më herët ose më vonë, dhe është hera e parë në histori të basketbollit të Kosovës që një ekip të kundërshtojë një kërkesë të tillë legjitime me arsye objektive, dhe në dijeni të FBK-së", ka shkruar klubi kryeqytetas. "Caktimi i ndeshjes për ditën e diel nga FBK është kundërshtuar nga ne pasi që është në kundërshtim me të gjitha nenet e Propozicioneve të Garave që rregullojnë çështjen e orarit dhe organizimit të ndeshjes. Kështu që sa i përket Prishtinës dhe Plisave, kudo e kurdo caktojeni, ne jemi të gatshëm".
Paraprakisht FBK ka dalur me një sqarim rreth situatës.
"Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) sqaron për të gjitha palët që termini i ndeshjes, sipas Propozicioneve të Garave të FBK-së duhet të bëhet i ditur 72 orë para fillimit të ndeshjes. Duke u bazuar në këtë parim, kemi shqyrtuar kërkesën e KB Sigal Prishtina për shtyrje të ndeshjes. Kujtojmë që KB Sigal Prishtina fillimisht ka kërkuar që ndeshja të shtyhet nga termini i paraparë të enjten, në të premten më 28 prill. Sot (e martë, 25 prill) ndërkohë e ka dhënë edhe një datë alternative, për të mërkurën, 26 prill. Rrjedhimisht, cilido caktim i terminit për datën 26 prill, nuk është as i shqyrtueshëm, meqë afatet e këtilla nuk parashihen në Propozicione të Garave", ka shkruar FBK në një sqarim. "Duke u nisur nga situata e krijuar dhe faktet ne vijim: -Kërkesa e KB Sigal Prishtinës që ndeshja të shtyhet: Kërkesa e klubeve që ndeshjet e play-offit të zhvillohen me gjyqtarë të huaj; Mirëkuptimi që ka FBK për ndeshjet ndërkombëtare të FHK-së; Mungesa e gatishmërisë së KB Trepçës që të zhvillojë ndeshje jashtë termineve të parapara me PG; Mungesa e gatishmërisë se klubeve që të pajtohen për termin të ndeshjes e shtyrë; Gatishmëria e FBK-së që të mund të sigurojë gjyqtarë të huaj të dielën, me 30 prill, Komisioni i Garave i FBK-së vendos që ndeshja e pestë gjysmëfinale në serinë KB Sigal Prishtina vs KB Trepça të zhvillohet të dielën, me 30 prill".























