Kurti mirëpriti familjarët e shkrimtarit të ndjerë, Moikom Zeqo
RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot familjarët e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur shqiptar nga Durrësi, Moikom Zeqo.
“Me bashkëshorten Lida Miraj dhe djalin Epidamn Zeqo, evokuan kujtime për të ndjerin z. Zeqo, që iu dha lamtumira e fundit në qershor të vitit 2020. Znj. Miraj dhe Epidamni, që të dy autorë edhe vet, i dhuruan kryeministrit librat autorial të tyre bashkë me një libër të Moikom Zeqo, të cilët kryeministri Kurti i pranoi me kënaqësi”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Shkrimtari Moikom Zeqo, përveçse autor i suksesshëm, ishte edhe ministër i Kulturës, deputet i Kuvendit dhe Drejtor i Muzeut Kombëtar të Historisë në Tiranë. Vitin tjetër ai do të festonte 75-vjetorin e lindjes.
“Kryeministri Kurti falënderoi familjarët për vizitën dhe tha se kujtimi për Moikomin do të jetojë gjithmonë përmes librave, veprave, fjalëve dhe këshillave të tij”, thuhet tutje në njoftim.
























