Shqyrtohet raporti vjetor i RTK-së, shkurtimi i buxhetit mbetet sfidë/Video
RTKLive
Buxheti aktual i ndarë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) është i pamjaftueshëm për zhvillimin e televizionit, sepse nuk premton investime në teknologji e as infrastrukturë, prandaj është e domosdoshme që në buxhetin e rishikuar të rritet buxheti për këtë medium. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e Bordit dhe ata të menaxhmentit të RTK-së në mbledhjen e sotme të Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës ku u shqyrtua raporti vjetor i RTK-së për vitin 2022.
Në këtë komision ishin të pranishëm anëtarët e Bordit dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Edhe në këtë Komision, raporti thekson mungesën prej 2.2 milionë eurosh të buxhetit për RTK-në, që vazhdon të mbetet hendikep i theksuar për zhvillimin e mediumit publik, pasi siç tha kryetari i Bordit, Besnik Boletini, por edhe drejtori Ahmetxhekaj, nuk garantojnë fleksibilitet në avancimin e skemës dhe të teknologjisë, edhe për faktin se RTK ka mbi 1.3 milion euro borxhe të trashëguara.
Në këtë raport është theksuar edhe rreziku i përmbaruesve, që mund ta sfidojnë RTK-në duke i marrë buxhetin nga borxhlinjtë e vjetër.
“Punëtorët punojnë më pajisje që nuk janë ndërruar që 20 vjet. Pra këtu ka mungesë për zhvillim. .Nëse nuk ka rishikim të buxhetit, do të kemi probleme të mëdha e sidomos kur kemi parasysh edhe borxhet, që janë pengesë e theksuar...”, deklaroi mes tjerash Boletini.
Ky i fundit përmendi Ligën e Kampionëve, të cilën sipas tij, e ka fituar RTK që ta transmetojë nga viti 2024 deri në vitin 2027, por rrezikon nga mungesa e buxhetit.
“E kemi fituar të drejtën për Ligën e Kamionëve 2024-2027. Sfidë mbetet pagesa. Ne këstin e parë e kemi paguar, por nëse vjen një përmbarues e rrezikojmë ta humbasim. Ky vit ka qenë vit i mbijetesës, shumë punëtorë nuk kanë kompjuter funksionalë, pra nuk ka pajisje elementare për punë”, tha Boletini, duke përmendur edhe produksionet e jashtme që kanë qenë obligim ligjor, por që nuk janë transmetuar vitin e kaluar për shkak të mungesës së buxhetit.
Ndërsa drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se përkundër mungesës së buxhetit, RTK ka arritur që ta zvogëlojë borxhin, nga 1.6 milion sa ka qenë më herët, në 1.3 milion sa është tani. Edhe përkundër këtyre vështirësive buxhetore, ai tha se RTK ka rikthyer shikueshmërinë duke transmetuar edhe emisione premierë, edhe ato sportive që kanë ndikuar shumë në performancë.
Ahmetxhekaj tha se para ligjvënësve nuk po kërkojnë rritje të buxhetit për pagat e punëtorëve, por zhvillimin e e RTK-së si medium, në aspektin edhe skenik edhe infrastrukturor, përfshirë pajisje. Ai përmendi faktin se shumë prej produkteve të jashtme që janë transmetuar në RTK janë marrë falas, pasi nuk kanë pasur buxhet të mjaftueshëm.
“Për shkak të mungesës së buxhetit, nuk kemi pasur mundësi të shpallim konkurse për produksione të jashtme. Kemi konkurs për një vlerë minimale. Për të bërë program adekuat, siç janë ato edukative, filma, seriale, e emisione për fëmijë, na duhet buxhet shtesë”, tha Ahmetxhekaj, sipas të cilit, pavarësisht vështirësive, shikueshmëria ka qenë në nivelin e kënaqshëm.
Në këtë komision, edhe kryetari i Bordit edhe drejtori i RTK-së, përmenden çështjen e pronës e cila mbetet sfidë në vete, ndërsa iu përgjigjën secilës pyetje të ligjvënësve të komisionit, edhe për çështjen e punësimit, të ankesave në Inspektorat, të mbrojtjes fizike të objekteve, të skemës programore, angazhimeve të mediumeve të huaja, etj.
Ahmetxhekaj: Me Ministrin kemi nënshkruar memorandumin për Festivalin, jo për mbështetje financiare
Për çështjet që i ka ngritur deputeti Agim Veliu, kryetari i Bordit, Besnik Boletini tha se do të angazhoheshin shumë më shumë sepse nuk e kanë kriter të krahasohen me të kaluarën se çka ka ndodhur. Ai shtoi se qëllimi i tyre është të ketë progres shumë më të madh e që fatkeqësisht buxheti u ka penguar shumë që të zhvillohen, sepse po ta kishin pasur buxhetin siç e kanë pasur menaxhmentet e kaluara sot nuk do të kishin folur për borxhe, por do të kishin folur për një progres dukshëm më të madh.
Sa i përket marrëveshjes me Ministrin e Kulturës, Boletini sqaroi se nuk ka të bëjë me themelimin e RTK-ART të kanalit RTK4, sepse ky kanal ka qenë me licencë për çështjet e artit dhe kulturës, por kërkesa e tyre ndaj menaxhmentit ka qenë që të nisin plotësimin përmbajtësorë të këtij kanali me përmbajtje vetëm të artit.
“Kanali i katër (RTK4), nuk do të ketë shpenzime shtesë për RTK-në, pasi do të mbulohet me potencialin aktual të cilin e ka RTK-ja " tha Boletini.
Tutje Agim Veliu ka pyetur se sa është numri i kontratave të shkëputura, e drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj tha se janë shkëputur rreth 25 kontrata të cilat kanë qenë kontrata të rregullta.
Kurse për RTK4 Ahmetxhekaj tha se RTK4 është themeluar në vitin 2013 dhe edhe atëherë ka qenë emërtimi RTK-ART4, pra nuk kanë bërë diçka të re për ti kënaqur interesat e Ministrisë së Kulturës.
"E dimë që ka pasur shkrime për këtë gjë dhe se në fakt kanë qenë të pa bazuara dhe për momentin është i dedikuar për art, dhe nga Bordi është kërkuar që ti përmbahemi këtij emërtimi dhe ta bëjmë RTK4 kryesisht për art", tha ai.
Ai shtoi se mendojnë që të kenë një buqetë më të madhe programore si në sport, emisione për fëmijë etj. , mirëpo sipas tij krejt kjo varet nga buxheti.
Deputeti Veliu pyeti se a ka marrëveshje apo memorandum mes Ministrisë së Kulturës dhe RTK4 apo RTK-së për financim të kanalit.
Ahmetxhekaj tha se për të realizuar Festivalin e Këngës, Ministria ka marrë përsipër që të ndihmojë në këtë aspekt sepse RTK nuk ka buxhet që të realizojë festival të këngës dhe memorandumi që kanë nënshkruar ka pikënisjen dhe përmbajtën kryesore Festivalin e Këngës.
Ai shtoi se në këtë memorandum po ashtu kanë marrë zotimin që do të angazhohen vetë, sepse sipas Ahmetxhekajt është edhe detyrim ligjor që ta prezantojnë më mirë aktivitetin kulturor anembanë Kosovës. “Jo aktivitetin e ministrit por aktivitetet kulturore si drama, shfaqje sepse gjeneza e RTK4 është RTK-ART “, tha Ahmetxhekaj.
“Ne me Ministrin kemi nënshkruar memorandumin për festivalin, e jo që të mbështesë financiarisht një kanal”, tha ai.
Ndërkaq në pyetjen e komisionit se a ka RTK monitorim profesional, Boletini tha se kanë kontraktuar një kompani vendore e cila bën monitorimin e vazhdueshëm të mediave në nivel vendi dhe në bazë të kapaciteteve financiare i kanë kontraktuar për disa muaj.
"Do ta shohim për disa muaj se ku qëndron RTK-ja me shikueshmërinë në raport me programet e tjera", tha ai.
Kurse sa i përket reformës, Boletini tha se në fundjavë do të mbajnë një punëtori për reformën, për modelet e financimit si dhe një dokument që ka të bëjë me pronën, dhe që synojnë që në këtë fundjavë ta kenë një draft final në mënyrë që t'a finalizojnë tërësisht konceptin e reformës e cila ka bazë kthimin ose krijimin e prodhimit në RTK .
“Do të shihen plot departamente, njësi, vende të punës që janë të pa nevojshme por që janë krijuar për një pagë të caktuar në vitet paraprake dhe ato anomali do të eliminohen gjatë procesit të reformës e cila është e lejuar edhe me ligj. Gjithsesi do të ketë gjithëpërfshirje dhe jemi duke parë mundësitë tona që të kontraktojmë një kompani të huaj e cila merret me konceptimin e një organogrami e një koncepti që si do të dukej një transmetues publik”, tha ai.
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës tha se kjo reformë mund të zgjasë disa muaj.























