Monitorimi elektronik i dhunuesve |Video
BKT
Lajme

Monitorimi elektronik i dhunuesve |Video

Arlinda Sejda|RTK

Qeveria e Kosovës, dy ditë më parë ka ndarë 600 mijë euro për vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e hallkave elektronike që do t`u vendosen dhunuesve të cilët kanë urdhër-mbrojtje. Policia e Kosovës ka thënë për RTK-në se do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme për implementimin e këtij projekti, derisa nga rrjeti i grave të Kosovës presin që të nisë sa më parë të zbatohet.

Shumë raste të dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet edhe kur nga organet e drejtësisë  është kërkuar urdhër mbrojtja. Në mungesë të një mekanizmi kryerësit e dhunës në familje  shpeshherë nuk është arritur të parandalohen.

Ndonëse qysh në korrik të vitit 2015 kishte hyrë në fuqi ligji për mbikëqyrjen elektronike ku  parashihej monitorimi elektronik i personave që kanë urdhër-mbrojtje, kjo pjesë, në mungesë të pajisjeve, nuk ishte zbatuar.

Ndërsa të mërkurën Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e Projektit "Sistemi i monitorimit elektronik", për vitin 2023, ku janë ndarë 600 mijë euro për këtë qëllim.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për RTK-në, kanë thënë se do të implementojnë këtë projekt sipas ligjit.

Grafikë Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës, sipas autorizimeve dhe kompetencës, do t'i ndërmarrë veprimet e nevojshme për këtë projekt dhe implementimin e tij, sipas Udhëzimit Administrativ (MPB) nr. 11/2016 për realizimin  e  bikëqyrjes elektronike dhe raportimi nga Policia e Kosovës, të personave të cilëve u kufizohet lëvizja.

Ndërsa Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se janë në pritje që ky projekt të implementohet sa më shpejt.


MË SHUME NGA Lajme