Kurti realizon bisedë telefonike me Chollet, temë dialogu Kosovë-Serbi
J.Musliu/RTKlive
Një ditë para takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës. Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kreu i qeverisë kosovare ka zhvilluar një bisedë telefonike me Derek Chollet, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, kryeministri Kurti njoftoi se diplomatin e lartë amerikan ka biseduar për agjendën e takimit.
“Pata një telefonatë të mirë me këshilltarin e lartë amerikan Derek Chollet sot, ku diskutuam për agjendën e takimit të nesërm”, ka shkruar Kurti.
“Theksova rëndësinë që marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim”.
Më tej Kurti shkroi se e ka falënderuar diplomatin amerikan edhe për mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës.
Për këtë bisedë telefonike, ka njoftuare dhe Chollet, gjithashtu në rrjetet sociale.
Ai tha se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“…Në lidhje me takimin e 2 majit mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
“Biseduam për rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për partneritetin e fortë mes SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Chollet, në një postim në Twitter.
Kurti dhe Vuçiq do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Pikë e parë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës dhe më pas ajo e Asociacionit.
Pritjet janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga ai që njihet si Ekip Menaxhues.























