Osmani: Kosova duhet ta ketë draftin e vet për Asociacionin
BKT
Lajme

Osmani: Kosova duhet ta ketë draftin e vet për Asociacionin

Qendresa Duraku | RTK

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova ta ketë draftin e vet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo të lejojë që një draft, siç tha ajo ‘i të ashtuquajturit ekip menaxhues’ të bëhet bazë e negociatave.

“I ashtuquajturi ekip menaxhues do të prezantojë një draft. Pritjet e mia si presidente janë që Republika e Kosovës të ketë draftin e saj, sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një ashtuquajturi ekipi menaxhues, që në realitet është një draft i Vuçiqit të bëhet bazë e negociatave. Pra, ta kemi draftin tonë, i cili nën një është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe nën dy është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e po ashtu në përputhje me qëndrimin e shkruar të  SHBA-së, që siguron që nuk preket as sovraniteti as integriteti territorial e as parimi i unitaritetit të shtetit që nënkupton një shtet komplet funksional edhe përbrenda”, ka theksuar presidentja Osmani pas homazheve me rastin e 24-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë.

Ajo ka këmbëngulur se drafti i Kosovës duhet të jetë ai që do të shndërrohet në bazën kryesore të këtij procesi, jo draft i një ekipi menaxhues që udhëhiqet dhe kontrollohet nga presidenti serb.

Presidentja ka folur edhe për deklaratën për të pagjeturit, e cila pritet të miratohet sot në takimin e Kurtit me Vuçiqin në Bruksel.

Ajo ka thënë se kjo çështje është një hap shumë i rëndësishëm për procesin e dialogut në Bruksel dhe se kjo deklaratë do ta detyrojë Serbinë t’i hapë arkivat.


MË SHUME NGA Lajme