Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit
N.M. /RTKlive
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka liruar nga detyra katër anëtarët serbë që ishin të ngarkuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Krasniqi, në një postim në Facebook, ka publikuar edhe dokumentin e shkarkimit, ka thënë se tashmë ky ekip është pa status.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status.
Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, ka shkruar Krasniqi.
Kryesuesja e liruar nga detyra, Danjela Vujçiq, është deputete e Kuvendit të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, djeu takua në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe njëherit i dakorduan për deklaratën për të pagjeturit.
























