Nxënësit me shkollim profesional në bujqësi përgatiten për tregun e punës
Valbona Tahiri/ RTK
Me zhvillimin e mësimit 3 vjeçar në formën praktike në shkollën profesionale të bujqësisë në Prishtinë, nxënësit dalin kuadro të kualifikuara për tregun e punës në drejtimet e agrobiznesit dhe teknologjisë ushqimore.
Në punëtorit e shkollës “Abdyl Frashëri” gërshetohet punë teorike dhe ajo praktike, gjë e cila nga mësimdhënësit dhe nxënësit vlerësohet tejet produktive për përvetësimin e nj drejtimi profesional, raporton RTK.
Nxënësit e klasës së dhjetë, me marrjen e informacioneve teorike mbi tretësirat në lëndën e kimisë, zhvillojnë njësi mësimore në formën praktike.
Nxënësit e drejtimit Teknologji ushqimore në kuadër të punës praktike kanë edhe Firmën Ushtrimore në të cilën janë të përfshira tri departamente ai i Administratës, Marketingut dhe Kontabilitetit.
Njëherit në këtë drejtim praktika organizohet edhe në përpunimin e qumështit, atë të mishit, përgatitjen e ushqimit në kuzhinë, përpunimi dhe konservimin e pemëve dhe perimeve, prodhimin e bukës e pjekurinave të tjera në kuzhinë si furrtari dhe kuzhinier.
Shkolla e mesme profesionale e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Abdyl Frashëri” në Prishtinë ofron mësim profesional 3 vjeçar në fushën e bujqësisë në drejtimet: Agrobiznes, Mbrojtja e bimëve; Hortikulturë; Veterinari dhe Teknologji Ushqimore.
Në hapësirat e kësaj shkolle profesionale për kryerjen e punës praktike është edhe ferma dhe serrat.























