Konjufca: Pa zgjidhje brenda Kushtetutës, s’kemi çka kërkojmë në dialog
M.Miftari/RTKlive
(Plotësuar) Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me statutin e Asociacionit, shtoi se sa i përket kësaj çështjeje Kosova, për fat të keq, ka trashëguar një prej vendimmarrjeve nga qeveritë e kaluara.
Konjufca shprehu kritika ndaj mënyrës së përzgjedhjes së komisionit për përpilimin e draft-statutit të Asociacionit, që, për pasojë, solli shkeljen e ligjeve të Kosovës, Kushtetutës, por edhe të betimit të deputetit.
“Statuti që është paraqitur, ishte sipas urdhrit të Vuçiqit, sepse është statut me një përpjekje për të krijuar një republikë serbe brenda Kosovës e kjo është antikushtetuese dhe mendoj se kurrfarë pozicioni antikushtetues mund me qenë bazë për negociata, sepse nuk ka logjikë të niset nga një bazë që është e kundërt me Kushtetutën e të mbërrijë te Kushtetuta. Pikënisja duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.
Ai më tej shtoi se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE nuk mendon që zgjidhja të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, atëherë Kosova nuk ka çka të kërkojë në atë dialog
Ndërkaq kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në pyetjen nëse po zbehet roli i BE-së karshi Serbisë, kur ajo shkeli marrëveshjen e Ohrit , duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës ne KiE, tha se për një proces të tillë nevojitet durim, se disa gjëra nuk bëhen me shpejtësi, derisa shtoi se pas kësaj vizite do të shkojë në Serbi dhe do ta diskutojë këtë çështje.
(E plotësuar) Konjufca: Serbia shkakton nxitje në destabilizim të situatës në rajon
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë me gazetarë, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka foli për rolin e demokracisë, si një projekt i rëndësishëm politiko-shoqëror, që duhet të jetë i afërt me qytetarët, por edhe për situatën në rajon e botë, me theks të veçantë, raportet në mes të Kosovës e Serbisë, si dhe lufta në Ukrainë.
“Kur jemi te bashkëpunimi parlamentar s’kam se si të mos ia jep një mirënjohje publike e të veçantë kryetarit Sobotka, për punëtorinë e demokracisë që e kemi themeluar këtu në Kuvend vite më parë, së bashku me Parlamentin austriak, me ç’rast ,kryetari Sobotka ka qenë shtytësi kryesor i këtij projekti që e kemi sjellë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës e është funksional edhe sot e kësaj dite”, theksoi kryetari i Kuvendit, Konjufca.
Sobotka, u shpreh më tej kryetari Konjufca, beson se demokracia është një projekt i madh e i rëndësishëm politiko-shoqëror, i cili duhet të ushqehet vazhdimisht, duhet të jetë i afërt me qytetarët e Republikës së Kosovës, duke qenë i tillë, si një proces i pjesëmarrjes së të gjithëve, pa ndërprerje, garanton vlera të vërteta evropiane.
Konjufca njoftoi , gjithashtu, se me kryetarin Sobotka kanë biseduar edhe për sfidat që ka bota dhe rajoni ynë, ku është biseduar për agresionin e papranueshëm rus ndaj Ukrainës, për të cilën Kosova ka dënuar fuqishëm këtë akt të papranueshëm.
“I shpjegova kryetarit Sobotka qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, të cilin akt e ka dënuar fuqishëm që është në përputhje me politikën e Jashtme të BE-së e të SHBA-së, në përkrahje të lirisë e të sovranitetit të Ukrainës”, deklaroi Konjufca, derisa shtoi se Kosova në këtë drejtim i është përgjigjur të gjitha sanksioneve, pakove të sanksioneve të vëna nga BE e ShBA ndaj Rusisë .
Veç kësaj, Konjufca bëri të ditur se me kryetarin Sobotka ka biseduar edhe për raportet me Serbinë, për, siç tha ai, sjelljen e papranueshme të saj ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit.
“Kosova me shumë vullnet të mirë e pranoi marrëveshjen e Ohrit, ndërkohë që Serbia po e lexon krejtësisht në mënyrë të kundërt marrëveshjen që ka pranuar prej asaj se qysh e lexon Republika e Kosovës”, deklaroi, mes tjerash, Konjufca.
Lidhur me marrëveshjen në fjalë, Konjufca sqaroi se kjo marrëveshje përmban dy dimensione, e ndërtuar në dy shtylla, ku shtylla e parë, sipas tij, për këdo që ka lexuar atë marrëveshje është njohja “de facto” e Serbisë për Kosovën, që është shtylla substanciale e marrëveshjes, teksa shtoi se Serbia këtë e mohon tërësisht e absolutisht dhe që një sjellje e tillë është e papranueshme, ngaqë, në anën tjetar kërkon, siç u shpreh ai, një republikë serbe në Kosovë.
Konjufca më tej vuri në dukje faktin që Serbia njëherazi bëri thirrje Listës Serbe që të mos marrë pjesë në institucione të Kosovës, si dhe në zgjedhjet demokratike të vendit. Një sjellje e tillë nuk i kontribuon fare stabilitetit në rajon, përkundrazi shkakton nxitje në destabilizim të situatës, por, shtoi më tej Konjnufca, sfidat që Kosova i ka e i ka pasur në të kaluarën nuk ka mundur t’i tejkalojë pa ndihmën e ndërkombëtarëve.























