Tenderi për insulina, Qeveria kërkon shkarkimin e anëtares së OSHP-së
Arbresha A.Berisha/RTK
Qeveria e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.
Kjo kërkesë erdhi pas insistimit të këtij organi që të procedohet tutje me tenderin për insulina edhe pse kompania fituese përmes furnizimit me to, vlerësohet se po rrezikonte shëndetin publik.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është i lartë, rreziku që u kanoset qytetarëve nga përdorimi i barnave pa autorizim marketingu.
“Tenderi për insulina është hapur në dhjetor të vitit 2020 dhe për të cilin është duke u zhvilluar një betejë e cila është betejë për ruajtjen e shëndetit publik”, tha ministri Vitia.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po u bëhet në lidhje me aktivitetin për insulina”.
Vitia tha se rreziku që i kanoset përdoruesve të barnave pa autorizim marketingu është i lartë.
“Ne kemi marrë të gjitha masat që te ndalojmë prokurimet pa autorizim marketingu”, tha ai.
“Ne jemi para dy zgjidhjeve, ose ta ruajmë shëndetin e qytetarëve e të rrezikohemi nga dënimi ose të rrezikojmë shëndetin në emër të asaj se ne ruhemi nga dënimi potencial”, shtoi ai.
Ministri Vitia tha se qytetarët mund të rrezikojnë edhe të mbesin pa insulina.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci pas mbledhjes së Qeverisë, foli për aksionet që po zhvillohen për respektimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë një mori veprimesh në fushën që ka të bëjë me parandalimin e pirjes së duhanit në hapësira ku nuk është i lejuar”, tha ai.
“Numri i inspektimeve është mbi 3,200 dhe janë shqiptuar mbi 460 gjoba”.
Ministri Peci u shpreh se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në funksion të zbatimit të ligjshmërisë.























