Rritet numri i inspektimeve të tregut
BKT
Lajme

Rritet numri i inspektimeve të tregut

RTKlive

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Inspektorati i Tregut ka shtuar prezencën e inspektorëve në treg, që ka dhënë rezultate konkrete, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit.

Përmes një njoftimi për medie, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bën të ditur se inspektorët kanë vendosur për ndalimin e importimit të 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina, për shkak se të njëjtat nuk i kanë plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë dhe, si të tilla, nuk mund të vendosen në treg për konsumatorët.

Gjithashtu është ndaluar ekspozimi i cigareve elektronike, është bërë mbikëqyrja e tregtisë dhe cilësisë së naftës e vajrave motorike, është bërë verifikimi i produkteve për përmbushje të standardeve dhe të sigurisë etj.

Në njoftim më tutje bëhet e ditur se gjatë javës së kaluar Inspektorati ka kryer 55 kontrolle tek operatorët ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Si rezultat i besueshmërisë së qytetarëve në efikasitetin e punës së MINT, janë pranuar dhe shqyrtuar 98 ankesa të konsumatorëve.

“Me qëllim të analizimit të cilësisë së produkteve të naftës janë marrë 30 mostra për testim në laboratorët e akredituar. Verifikimi i peshës së bukës dhe sasisë së naftës, po ashtu kanë qenë në fokus të inspektorëve, që është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, që funksionin në kuadër të MINT”, thuhet në njoftim.

Kështu, inspektorët kanë vazhduar edhe me monitorimin e rregullt të çmimeve të produkteve të naftës nëpër pikat shitëse me pakicë. Inspektorati i Tregut do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe do të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin në treg.


MË SHUME NGA Lajme