Familja nga Peja përfaqëson sonte Shqipërinë në Eurovision
Foto: eurovision.tv
Kulturë

Familja nga Peja përfaqëson sonte Shqipërinë në Eurovision

Jeton Musliu/RTKlive

Albina dhe Familja Kelmendi do të ngjitën sonte në skenën e madhe të Eurovisionit që këtë vit mbahet në Liverpool të Britanisë së Madhe.

Me këngën “Duje” që për mesazh ka ruajtjen e lidhjeve të forta mes familjes,  ata do të përpiqen që në natën e dytë gjysmë finale, të fitojnë vota të mjaftueshme për t’u kualifikuar për finalen e madhe që mbahet të shtunën.

Këngëtarja nga Peja e cila mori votat e publikut në Festivalin e  Këngës në RTSH në dhjetor të vitit të kaluar dhe fitoi të drejtën ta përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurosong, bashkë me familjen e saj, janë të 14-tit që do të ngjiten në skenë.

Praktikisht, ky edhe është numri në të cilin të gjithë ata që pëlqejnë këtë këngë, kanë mundësi të votojnë përmes mesazheve telefonike dhe online.

Ata do të jenë gjashtë në skenë, aq sa e lejon rregullorja e Eurovisionit numrin e personave për një paraqitje.

Për performancën e Shqipërisë këtë vit ashtu si edhe në vitin 2021 kur vendi u përfaqësua nga Anxhela Peristeri me këngën ‘Karma’, është kujdesur artistja e njohur suedeze,  Sacha Jean-Baptiste.

Ndërkohë, përveç ngjyrave të flamurit kuq e zi që do të shfaqen në ekranet e mëdhenj në prapavijë, përformanca në tërësinë e saj do të ketë edhe elemente kombëtare shqiptare, përfshirë një kërcim të lehtë me shami të kuqe.

Sa i përket sistemit të votimit, Eurovisioni këtë vit ka ndryshuar rregullat. Këngët që do të  kualifikohen për në finalen e madhe, do të zgjidhen vetëm me votat e publikut, pra pa juri profesionale.

Ndërkohë, kënga fituese në finalen e madhe që mbahet të shtunën, do të përzgjidhet me kombinim votash, 50% nga publiku dhe 50% nga juritë profesionale.

Vitin e kaluar, Eurovisionin i cili u mbajt në Torino të Italisë, e fitoi grupi ukrainas, Kalush Orchestra me këngën ‘Stefania’.Mirëpo, për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën, organizatore këtë vit është Britania e Madhe e cila vitin e kaluar, me këngëtarin Sam Ryder me këngën “Space Man”, zuri vendin e dytë.

Bazuar në rregulloren e Eurovisionit, në rast se vendi i këngës fituese, për shkaqe të ndryshme, nuk është në gjendje të organizojë festivalin e vitit pasues, atëherë organizimin e bën vendi që ka zënë vendin e dytë.

Këtë vit ashtu si edhe vitin e kaluar, Rusia dhe Bjellorusia janë përjashtuar nga kjo garë për shkak  të agresionit mbi Ukrainën.

RTKlive sjell më poshtë 20 fakte për Shqipërinë në këtë garë të këngës dhe Eurovisionin:

1-Në natën e parë gjysmë finale që u mbajt të martën, u paraqiten 15 shtete prej të cilave, 10 u kualifikuan për në natën finale.

2-Në natën e dytë gjysmë finale që mbahet sonte (e enjte) do të paraqiten 16 shtete, prej të cilave, dhjetë do të përzgjidhen për në finalen e madhe që mbahet të shtunën.

3-Eurovisioni fillon në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe për Kosovë, të drejtën e transmetimit e ka vetëm Radiotelevizioni i Kosovës (RTK).

4-Shqipëria do të paraqitet sonte me këngën “Duje” të kënduar nga Albina dhe Familja Kelmendi.

5-Numri 14 është edhe kodi në të cilin mund të votohet për Shqipërinë përmes mesazheve telefonike dhe  online.

6-Numrat e telefonit ku mund të votohet do të paraqiten në ekranet e kanaleve të televizioneve publike që transmetojnë Eurovisionin.

7-Pasi të përfundojnë së kënduari këngëtarët e të gjitha shteteve, do të hapen linjat për votim dhe kohë do të ketë vetëm 15 minuta.

8-Përmes mesazheve telefonike sonte mund të votohet vetëm nga shtetet që do të prezantohen në natën e dytë gjysmë finale, pra jo edhe nga shtetet që ishin në natën e parë gjysmë finale.

9-Online mund të votohet deri 20 herë nga e gjithë bota (përfshirë edhe Kosova), por votimi është me pagesë.

10-Linku ku mund të votohet online është: https://www.esc.vote/ ose duke shkarkuar aplikacionin iOS dhe Android kurse Eurovisioni mund të ndiqet edhe në livestrem në faqen zyrtare.

11- Albina Kelmendi dhe familja e saj, janë këngëtarët e tretë nga Kosova që përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision.

12-Këngëtarët e tjerë nga Kosova që përfaqësuan Shqipërinë në Eurovision janë Rona Nishliu (2012-Azerbajxhan) dhe Lindita Halimi (2017-Austri).

13- Në vitin 2012 Eurovisioni u mbajt në Baku të Azerbajxhanit dhe Rona Nishliu me këngën “Suus” zuri vendin e pestë, duke mbetur kështu edhe më tej, radhitja më e mirë e Shqipërisë në këët garë të këngës.

14-Për herë të parë Shqipëria mori pjesë në Eurovision në vitin 2004 që u mbajt në Stamboll të Turiqisë, me këngëtaren Anjeza Shahini dhe këngën “Imazhi yt” dhe ajo yuri vendin e 7-të.

15- Këngëtar tjetër nga trojet shqiptare që përfaqësoi  Shqipërinë në Eurovision  ishte edhe Ardian Lulgjuraj nga Ulqini i Malit të Zi i cili bashkë me Bledar Sejkon, në vitin 2013, përformuan këngën “Identitet”.

16-Nga viti 2004 deri më tani, Shqipëria ka zgjedhur që me këngët që përfaqësohet, në plan të parë të jetë vokali i këngëtarit/es, duke bërë që kjo të theksohet edhe nga mediat e huaja.

17-Për gjithë këto vite të përfaqësimit, Shqipëria ka zgjedhur të përfaqësohet me tekste të kënduara në shqip, anglisht, por edhe përzierje e të dy gjuhëve.

18- Duhet veçuar që në gjuhën shqipe, përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision kanë kënduar në Serbi në vitin 2008 (Olta Boka-Zemrën e lamë peng), në Greqi në vitin 2006 (Luiz Ejlli-Zjarr e ftohtë),  në vitin 2013 në Suedi (Adian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko-Identitet), në Portugali në vitin 2018 (Eugent Bushpepa- Mall), në Izrael në vitin 2019 (Jonida Maliqi-Ktheju tokës) e në vitin 2021 në Holandë (Anxhela Peristeri-Karma).

19-Plotësisht në gjuhën angleze, këngëtarët e Shqipërisë në Eurovision kanë kënduar në vitin 2004 në Turqi (Anjeza Shahini-Image of you), në vitin 2005 në Ukrainë (Ledina Çelo-Tomorroë I go), në vitin 2007 në Finlandë (Frederik dhe Aida Ndoci-Hear my plea), në vitin 2009 në Rusi (Kejsi Tola- Carry Me In Your Dreams), në vitin 2010 në Norvegji (Juliana Pasha-It’s all abort you), në vitin 2014 në Danimarkë (Hersi Matmuja-One night’s anger), në vitin 2015 në Austri (Elhaida Dani-I’m alive), në vitin 2016 në Suedi (Eneda Tarifa-Fairytale), në vitin 2017 në Ukrainë (Lindita Halimi-World), dhe në vitin 2020 në Holandë (Arilena Ara-Fall from the sky: duhet rikujtuar se për shkak të pandemisë, Eurovisioni ishte anuluar dhe këngët janë transmetuar vetëm në klipe në livestream, por pa përcaktuar fitues).

20-Shqipëria u përfaqësua edhe me këngëtarë që në Eurovision patën tekste këngësh të kombinuara në shqip e anglisht. Në vitin 2011 në Gjermani (Aurela Gaçe-Feel the pasion), në vitin 2022 në Itali (Ronela Hajati-Sekret).

Duhet rikujtuar se kjo është hera e parë në tërë historinë e Eurovisionit, që kur u mbajt edicioni parë në vitin 1956 në Lugano të Zvicrës, që një familje, motra,  vëlla e prindër, që këndojnë duke përfaqësuar një shtet. 

 


MË SHUME NGA Kulturë