Konjufca: Çdo e arritur, nga Rilindja tek UÇK-ja, në themel ka mërgatën
BKT
Foto: Arkiv
Lajme

Konjufca: Çdo e arritur, nga Rilindja tek UÇK-ja, në themel ka mërgatën

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova dhe Kuvendi është shtëpia e diasporës.

Në fjalën e tij në kuadër të Konferencës “Diaspora Flet 2023”, që u mbajt në Kuvendin e Kosovës të shtunën, Konjufca tha se gjithçka që ka arritur populli i Kosovës, e ka në themel diasporën.

Ai me këtë rast përmendi të gjitha etapat, duke filluar nga Rilindja e deri te UÇK-ja.

“Ky kontribut i mërgatës sonë ka qenë konstant dhe vjen deri te organizmi i luftës sonë të lavdishme çlirimtare në krye me UÇK-në”, tha kreu i Kuvendit, sipas të cilit, “ajo ishte një përpjekje madhështore e popullit tonë e cila kishte për qëllim dy qëllime arritjen e lirisë sonë dhe vendosjen e një shteti të fuqishëm që do të ishte streha jonë politike dhe shtëpia ku jeton i lirë populli i Kosovës”.

Konjufca u shpreh se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, janë në momentin e fundit që të realizojnë projektin që mërgata të ruajë kulturën, traditën dhe identitetin e vet. 

Ai tha se ky është projekt nacional.

“Edukimi dhe arsimi na e mundëson këtë sepse fëmijët e mërgimtarëve të cilët janë të lindur të cilët po rriten atje, të cilët janë të integruar shumë mirë dhe ne shoqëritë ku jetojnë kanë mbi të gjithë nevojë për shkollën e cila është e organizuar, e cila drejtpërdrejt organizohet prej Republikës së Kosovës dhe e cila me keqardhje them dhe pak që besa edhe me faj, nuk ka arritur të organizohet deri tash”.


MË SHUME NGA Lajme