Osmani: Kosova nuk u ikën obligimeve të saj
BKT
Foto/ RTK
Lajme

Osmani: Kosova nuk u ikën obligimeve të saj

E.H/RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova nuk u ikën obligimeve të saj, në të njëjtën kohë kërkon nga partnerët të jenë të qartë sa i përket shkeljeve që i ka bërë Serbia në raport me Marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër.

Sipas saj Serbia ka shkelur Nenin 4, i cili kërkon që Serbia mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Për këtë arsyeje, ne do të koordinohemi vazhdimisht me SHBA dhe BE, ne nuk kemi asnjë interesim që të ikim nga obligimet tona”, tha ajo.

Sipas të parës së vendit, Asociacioni duhet patjetër të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, raporton RTKlive.

“Në asnjë moment të mos ketë ndonjë element që mund ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional. Serbia është palë në dialog dhe problemi është që zyrtarë të Bashkimit Evropian kërkojnë që edhe vetë statuti të jetë një mes, rreth asaj se çka kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova", tha ajo.

Sipas saj në qoftë se merren elemente të propozimit të Serbisë gjithnjë ka rrezik.

"Ne po punojmë që garancat e partnerëve tanë të zbatohen edhe në praktikë në mënyrë që mos të tejkalohen këto linja të kuqe dhe të respektohet edhe sovraniteti edhe integriteti territorial i Kosovës", theksoi ajo.

Ajo ka shtuar se Kosova respekton Kushtetutën dhe ligjet e saj.

“Mbi të gjitha Kosova respekton të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie. Lista Serbe duhet të fillojë të mendojë për të mirën e qytetarëve, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë e mos të zbatojë agjendat destruktive”, tha ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme