Kurti: Demaçi ishte veprimtari dhe intelektuali i papërsëritshëm
Foto: Qeveria e Kosovës
Kulturë

Kurti: Demaçi ishte veprimtari dhe intelektuali i papërsëritshëm

M.Sh/RTKlive

Biblioteka që e mban emrin e Adem Demaçit, padyshim që do të jetojë gjatë. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti në hapjen e bibliotekës së Adem Demaçit në kuadër të Javës së Bibliotekës. Ai tha para të pranishmëve se Demaçi ishte veprimtari dhe intelektuali i papërsëritshëm, që rrezikonte veten si askush tjetër për popullin.

“Por, në këtë ditë të veçantë, Adem Demaçi është emri i prozatorit të dashurisë kuantike, pra emri i shkrimtarit. Qenia e kësaj biblioteke na flet me fjalët e Adem Demaçit: “Imagjinata është imja, realiteti është i juaji”. E me këtë, baca Adem ose biblioteka e tij, na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme, ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet’’, u shpreh Kurti.

Kryeministri përsëriti fjalët e Adem Demaçit.

“Si të doni, sa të doni bëni realitet, realiteti është në vullnetin tuaj. Kjo është deviza që na propozon biblioteka, shtoi më tej ai, duke theksuar se gjithçka ka qenë realitet këtu, por që ta duam realitetin tonë, le të ushtrohemi me imagjinatën që është brenda këtyre rafteve të bibliotekës Demaçi, brenda mureve të bibliotekës Bogdani”, tha ai.Kjo bibliotekë, sipas kryeministrit, vërtet do të ketë këtej e tutje edhe librat e Demaçit, atij Demaçi, që lexoi e që i mbrujti ndoshta shumicën e prozave të veta në burg.

Kështu që, sipas kryeministrit Kurti, çdo i ri mund të gjejë në të një udhë, mund të kryejë një udhëtim dhe të takojë një mendimtar e shkrimtar, personazhe dhe ngjarje për ta kuptuar shumë më thellë të tashmen e vet, të qytetit dhe njerëzimit, por dhe të tashmen e dikurshme të intelektualit dhe militantit që rrezikonte veten si askush tjetër për të gjithë neve.


MË SHUME NGA Kulturë