Mehaj: FSK e gatshme për t’i trajnuar ushtarët ukrainas
BKT
Foto: MM e FSK-së
Lajme

Mehaj: FSK e gatshme për t’i trajnuar ushtarët ukrainas

M.Shefkiu/RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shprehur gatishmërinë që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të ofrojë ndihmë në Ukrainë, në veçanti në ofrimin e trajnimeve për forcat ukrainase. Këto komente Mehaj i ka bërë në një takim me ministrin e Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, James Heappey, i cili u shoqërua nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Siç thuhet në një njoftim për media lëshuar nga MM e FSK-së, mysafirët e përgëzuan ministri kosovar për iniciativën.

Ministri Mehaj i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi e falënderoi për vizitën e tij ministrin Heappey dhe e uroi për kurorëzimin e Mbretit Charles III.

Në këtë takim, ministri Mehaj e informoi ministrin britanik të Forcave të Armatosura lidhur me avancimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit dhe theksoi përkushtimin në bashkëpunimin e ngushtë me shtetet partnere, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale, operacionale dhe gjithë infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e ushtrisë kosovare.Ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e tij për Britaninë e Madhe, në veçanti Ministrisë së Mbrojtjes për përkrahjen e dhënë Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Në takim u bisedua për realizmin me sukses të misionit  bashkë-zbarkues të FSK-së përkrah forcave britanike në Ishujt Falkland, që kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe të ndërveprimit me forcat e shteteve partnere për të shërbyer në të ardhmen në misionet e paqes.

Gjithashtu në këtë takim, sipas njoftimit të MM-së, është biseduar për mundësitë e radhës në realizmin e misioneve bashkë-zbarkuese të FSK-së përkrah forcave britanike.Temë bisede në takim ishte lidhur me trajnimet dhe edukimin të ushtarakëve të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar, ku Ministri Mehaj falënderoi për përkrahjen e deritashme në ngritjen e kuadrove ushtarake dhe theksoi nevojën për vazhdimin e mëtejmë të shkollimit të pjesëtarëve të FSK-së në akademitë e mbrojtjes në Britani të Madhe.

“Temë tjetër diskutimi ishte dhe investimi në industrinë e mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat po bëhen përmes marrëveshjeve shtet më shtet, sipas standardeve të NATO-s dhe në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”, njofton MM.

Nga ana e tij, ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, James Heappey, sipas njoftimit të MM-së, ka shprehur kënaqësinë për avancimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe theksoi se “Britania e Madhe do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm Kosovën në realizmin e aspiratave në përfshirjen në organizatat euroatlantike”.


MË SHUME NGA Lajme