Pas tre vjetëve, Kosova shpall të mbyllur emergjencën me COVID-19
M.Sh/RTKlive
Pas tri vitesh, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbyllje të emergjencës së shëndetit publik, duke i dhënë kështu fund betejës më pandeminë COVID-19. Kërkesën për mbylljen e emergjencës e bëri ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë mbledhjes së Qeverisë. Ai tha se ky vendim është marrë në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Kjo e fundit, me 5 maj ka konsideruar se pandemia Covid 19 nuk përbën më shqetësim ndërkombëtarë për shëndetin publik.
Ministri Vitia ka deklaruar se duke marrë parasysh situatën epidemiologjike, nuk ka më arsye që masat anti-covid të jenë në fuqi dhe ka kërkuar shfuqizimin e vendimit për masat.
“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në zbatim të rekomandimit të Institutit Kombëtar, deklaratën e OBSH-së dhe në bazë të rekomandimeve të komisionit këshilldhënës…duke marrë për bazë dispozitat e ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, MSH vlerëson se tani nuk ka më arsye për masat anti-covid dhe kështu kërkon shfuqizimin e vendimit për masat”, ka dekalruar Vitia.
Ndryshe, Kosova kishte shpallur emergjencë të shëndetit publik në mes të muajit mars të vitit 2020. Deri më sot nga koronavirusi kanë humbur jetën 3,217 persona, ndërsa 273,934 të tjerë janë prekur nga virusi. N e po ashtu sipas Qeverisë, rreth 60 për qind e popullsisë janë vaksinuar si masë mbrojtëse nga virusi.























