Ekspozita me koleksionin “Vasil Koçi”, pjesë e fondit QDA
Kulturë

Ekspozita me koleksionin “Vasil Koçi”, pjesë e fondit QDA

Sh.Gashi / RTKlive

Koleksioni “Vasil Koçi” është pjesë e fondit të Qendrës së Dokumentacionit Artistik.

QDA është themeluar në vitin 2018 në Departamentin e Studimit të Artit pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Qendra e Dokumentacionit Artistik, e cila synon mbledhjen e një game të gjerë materialesh dokumentuese në lidhje me lindjen dhe zhvillimin e skenës së artit post-socialist në Shqipëri.

“Koleksioni “Vasil Koçi” konsiston në 833 imazhe fotografike të stampuara dhe diapozitiva, që tregojnë për gjendjen e artit dhe kulturës gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Ai përfshin 345 imazhe (me ngjyra) që dokumentojnë piktura dhe skulptura të realizmit socialist, si dhe 488 fotografi (bardhezi) të artistëve pamorë, aktorëve dhe shkrimtarëve, si Petro Marko, Sali Shijaku, Natasha Lako, Ismail Kadare, Muntas Dhrami, Zef Bumçi, Foto Stamo, Razi Brahimi, e të tjerë. Fotografitë e artistëve japin një pasqyrë të gjallë të jetës së tyre sociale dhe rrjeteve profesionale ku ata bënin pjesë, duke i treguar subjektet e tyre si në punë ashtu dhe në kohën e lirë. Imazhet e veprave të realizmit socialist pasqyrojnë shumëllojshmërinë e temave dhe qasjeve që artistët e kohës trajtuan në përpjekjet e tyre për të treguar ndryshimet e shoqërisë socialiste”, thuhet në njoftim.

Kjo ekspozitë përfaqëson një përpjekje për të nxjerrë në pah një temë të rëndësishme të sugjeruar nga ndarja e brendshme e vetë koleksionit: "marrëdhënien mes punëtorit, që është ndoshta figura qendrore e realizmit socialist, dhe artistëve të ngarkuar për ta sjellë atë në “jetë” – në letër dhe në telajo, në ekran dhe në skenë".

Pjesa e parë e ekspozitës, sipas njoftimit për medie, konsiston në 29 imazhe të dimensioneve A3 – diapozitiva fillimisht të skanuara e më pas të printuara në panele foreksi me trashësi 5mm – që portretizojnë punëtorët socialistë në mjedisin e tyre të punës. Pjesa e dytë e ekspozitës, ndërkaq  konsiston në një videoprojeksion me një kohëzgjatje prej 5min 30sek, që është krijuar nëpërmjet montazhit të 82 fotografive të figurave kulturore të epokës socialiste.

Ekspozita hapet më 25 maj, ora 19:00 në ZETA Contemporary Art Center dhe qëndron e hapur deri më 3 qershor.

 


MË SHUME NGA Kulturë