Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut nesër viziton Kosovën
E. Hoti/ RTKlive
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së, të premten do të vizitojë Kosovën.
Ai do të takohet në orën 10:25, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi për media Presidenca e Kosovës.
Kryediplomatin Osmani e pret në takim në orën 12:20 edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Osmani do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se pas takimit do të ketë një konferencë për media nga Gërvalla dhe Osmani.
Paraprakisht, të enjten, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani qëndroi në Serbi.
Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, tha se duhet të adresohen çështjet e integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë serbe, përmes planit 7 pikësh si dhe të merren parasysh shqetësimet e ngritura nga komunitetet lidhur me pasivizimin e adresave.
"Maqedonia e Veriut arriti të krijojë një model të suksesshëm të bashkëpunimit shumetnik që mund të shërbejë si shembull për rajonin", tha ministri Osmani.
Sipas tij, përvoja e Maqedonisë së Veriut në përfshirjen e pakicave kombëtare në institucionet shtetërore ka dhënë rezultate pozitive në stabilizimin e shoqërisë dhe forcimin e shtetit.