Reagon BE-ja, thotë se ruajtja e paqes e siguria duhet të jenë prioritet
Uran Krasniqi / RTKLive
Bashkimi Evropian mendon se zgjidhje politike afatgjatë për komunat e veriut mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real nën lehtësimin e tij ndërmjet të gjitha palëve, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është deklaruar pas zhvillimeve të sotme në veri, ku ka dënuar ashpër dhunën.
"Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të qetësuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet", ka thënë ai. "Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së".























