Protestuesit në Zveçan vendosin shkronjën `Z’ në veturat e KFOR-it
J.Musliu/RTKlive
Duke shkruar me ngjyrë shkronjën “Z”, në automjetet e KFOR-it,e që është simboli rus i agresionit mbi Ukrainë, strukturat paralele që po protestojnë në Zveçan, kundërshtojnë ushtrimin e detyrës nga kryetari i ri.
Ndërkohë, komandanti i njësitit të KFOR-it që gjendet para Komunës së Zveçanit, është dakorduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, që të largohen dy autoblindat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Megjithatë, protestuesit nuk po largohen për të liruar rrugën, ndërkohë që simbole ruse janë vendosur nga protestuesit edhe në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.
Strukturat paralele që po drejtojnë protestuesit, para komunës së Zveçanit, kanë vendosur flamuj të Serbisë në një autoblindë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës, ndërsa në një tjetër i kanë shkruar me ngjyrë katër “C”.
E kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se protestuesit do të qëndrojnë aty, derisa Njësiti Special i Policisë të largohet dhe kryetari i ri, Izmir Zeqiri, të mos lejohet të futet në objektin e Komunës së Zveçanit.























