Pa ligjvënësit e koalicionit, mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë
Edona Podvorca/RTK
Pas situatës së tensionuar në veri është mbledhur Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili në mungesë kuorumi dhe pa pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kanë mbajtur mbledhjen. Ata kanë kërkuar nga qytetarët serb që t’i ndalojnë protestat e dhunshme, ndërsa nga Qeveria e Kosovës që të koordinohen për çdo veprim me SHBA-në dhe BE-në.
Në komision kanë qenë të pranishëm, Bekë Berisha i AAK-së, Anton Quni i LDK-së dhe Hisen Berisha e Rashit Qalaj të PDK-së
Pas takimit, Bekë Berisha, kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka thënë se ky takim ka ardhur pas situatës që po ndodh në Veri të Kosovës. Ai ka thënë se në këtë mbledhje, ka qenë i ftuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, por sipas Berishës, ministri Sveçla për shkak të situatës së në veri, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë mbledhje, në të cilën sipas Berishës, ka marr pjesë vetëm opozita.
“Kemi pasur shqetësim për atë që po ndodh në veri të Kosovës. Edhe e kemi ftuar këtë takim si Komision Parlamentar për Siguri. Po ashtu e kam njoftuar Ministrin e Punëve të Brendshme për këtë takim, mirëpo për shkak të ngjarjeve është arsyetuar se nuk mundet më qenë me neve. Në takim kemi marrë pjesë pothuajse vetëm opozita sepse deputetët e pozitës nuk e kanë parë të arsyeshme, në këtë situatë kaq të ndjeshme”, ka thënë Berisha.
Ai ka kërkuar nga qytetarët serbë të mos bien prej e politikës luftënxitëse të Vuçiçit dhe grupeve kriminale atje.
Berisha kërkon nga Qeveria e Kosovës, të insistojë në zbatimin e ligjërisë dhe funksionalizimin e mandatave të kryetarëve në harmonizim me Shtete e Bashkuar të Amerikës.
“Situata në veri është shqetësuese, e papranueshme dhe rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në vend. Sot do të duhej Kuvendi i Kosovës të ishte në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë në mbledhje të vazhdueshme dhe kryeministri në krye të detyrës. U bëjmë thirrje qytetarëve të komuniteti serbe që të mos bien preh e politikës luftënxitëse të Vuçiçit dhe grupet kriminale në veri duhet të ndalen dhe aktet e dhunës dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës, qytetarëve, KFOR-it dhe gazetarëve sepse të gjithë janë të rrezikuar”, tha Berisha në emër të Komisionit.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet të insistojë në zbatimin e ligjërisë dhe funksionalizimin e mandatave të kryetarëve dhe prej këtij momenti të mos marr asnjë veprim pa harmonizim të plotë me Shtete e Bashkuar të Amerikës po ashtu me prezencën ushtarake ndërkombëtare dhe QUINT-it.























