Protestuesit sulmojnë gazetaren e RTK-së
V. Thaçi / RTKlive
Sulmet në drejtim të gazetarëve që po raportojnë nga komunat në veri të Kosovës po vazhdojnë ende.
Gjatë raportimit të drejtpërdrejtë nga Zveçani, protestuesi serb tenton t'ia marrë nga dora mikrofonin gazetares së RTK-së, Edona Podvorica.
Po ashtu Veturat e mediumeve shqiptare të A2 CNN dhe Panorama, të cilët po raportojnë nga veriu i vendit, janë vandalizuar.
Të dyja ekipet kanë qenë brenda veturave të mediumeve të tyre. Sulmi është bërë me tulla dhe gurë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Gazetarët kanë pohuar se megjithëse trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, përpos që nuk kanë reaguar, ata edhe janë larguar direkt nga aty pa ndërmarrë ndonjë masë e cila do t’iu siguronte mbrojtje ekipeve, tashmë të sulmuara.
“Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviqit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar. Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare. Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan, ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda”, u shpreh gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi.
Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ekipet e gazetarëve vazhdojnë të jenë cak i protestuesve gjithandej. Edhe një herë, AGK i bën thirrje trupave paqeruajtëse të sigurojnë ambient të sigurt për raportim, ndërsa gazetarët i ftojmë që të tregojnë kujdes të shtuar sepse atyre nuk po iu garantohet siguri në asnjë moment.
Për AGK-në, ky numër i sulmeve është alarmues, ndërsa fton vendimmarrësit që të krijojnë protokolle të cilat garantojnë raportim të sigurt për gazetarët, sa më parë.
AGK njofton se po ashtu është sulmuar edhe ekipi i RTV 21 në veri të Mitrovicës
Ekipi i RTV21, i përbërë nga gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani, Berat Bahtiri, janë sulmuar fizikisht nga serbët derisa po raportonin në sheshin Car Llazar.
Mediumi ka njoftuar AGK-në, se krahas sulmit fizik ndaj kameramanit, atij i është marrë edhe pajisja me të cilën ishte duke xhiruar.
Ekipi ka njoftuar AGK-në, se aktualisht janë duke dhënë deklaratë rreth sulmit në Policinë e Kosovës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është thellësisht i shqetësuar me pamjet e sulmit ndaj kameramanit, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që ta trajtojnë rastin sa më parë në mënyrë që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë. Njëherësh, AGK-ja, u bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u rrezikuar dhe penguar”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
Tutje nga AGK thonë se veturat e disa prej ekipeve mediale nga Prishtina, mbrëmë kanë mbetur të bllokuara në Zveçan, pas largimit të gazetarëve dhe kameramanëve, disa orë pas përleshjeve mes KFOR-it dhe serbëve lokalë.
Sipas AGK-së pas KTV-së dhe T7, edhe portali online “Periskopi” e ka gjetur veturën sot të dëmtuar, dhe në bazë të pamjeve në drejtim të saj janë gjuajtur plumba.
“Situata është përshkallëzuar, ndërsa sulmet në drejtim të mediave vetëm sa po intensifikohen tutje. Gazetarët vazhdojnë të raportojnë në kushte të rënda, ndërsa rreziku vazhdon të shtrihet në të gjitha komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatë.























