Policia: Situata në veri e brishtë, por kryesisht e qetë
E. H/ RTKlive
Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar. Kjo pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme. Kështu raporton Policia e Kosovës në njoftimin e saj të fundit për medie.
Sipas njoftimit, po ashtu edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave.
“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia tutje ka njoftuar se në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.
Policia thotë se monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet.























