Situata e fundit në veri nga raportimet e ekipeve të RTK-së
J.Musliu/RTKlive
Ekipet e RTK-së në tri komunat e Kosovës në veri të republikës, në lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve, kanë raportuar mbi situatën në fundit të sigurisë. Gazetaret e RTK-së konfirmuan se situata në përgjithësi është e qetë, por mbetet e tensionuar.
Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica në lidhje direkte nga Zveçani, raportoi se në orët e mbrëmjes ka pasur një shpërthim.
Ajo tha se nuk dihet ky shpërthim ishte shkaktuar nga ndonjë shok bombë apo koktej molotovi. Sidoqoftë, gazetarja konfirmoi se janë trupat e KFOR-it, drejt të cilave është hedhur ky mjet shpërthyes. Gazetarja deklaron se një grup serbësh, janë duke provokuar vazhdimisht trupat e NATO-s edhe në orët e mbrëmjes.
Ndërkohë, në lidhje direkte nga Zubin Potoku, gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala tha se situata është e qetë. Ajo konfirmoi se në orën 19:30 kur po raportonte në edicionin qendror të lajmeve, vetëm ekipi i RTK-së ndodhej i pranishëm në këtë komunë, duke shtuar se janë të siguruar nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.
Ndërkohë, gazetares së RTK-së, Arbresha Berisha që ndodhet në Leposaviq, derisa ishte në lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve, një person i moshës rreth 55 vjeç, iu afrua duke e penguar të kryente raportimin.
Më pas, nëpërmjet linjës telefonike, gazetarja Berisha tha se situata në këtë komunë është e qetë, por serbët lokalë kanë penguar gazetarët të kryejnë detyrën e tyre.























