Konjufca për deklaratën e Blinken: Kjo nuk është e mirë për vendin
BKT
Lajme

Konjufca për deklaratën e Blinken: Kjo nuk është e mirë për vendin

E. H/ RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ka komentuar deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me situatën e fundit në veri të vendit.

 Në një deklarim për media të mërkurën, Konjufca ka thënë se kjo nuk është një gjë e mirë për vendin.

“Sa i përket deklaratës së zotit Blinken nuk është hera e parë që është duke na ndodhur kjo. Edhe para dy vitesh kur ishte çështja e reciprocitetit me Serbinë ne hasëm në një qortim me gjuhë të ashpër nga ShBA-të. Natyrisht e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë është një dialog i hapur me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që të argumentojmë sa më mirë pozicionin tonë”, u shpreh Konjufca.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po i kuptojnë ashtu siç duhet pozicionet e Kosovës.  Mbajtja e zgjedhjeve në veri, sipas tij, është bërë në koordinim me SHBA-në.

“Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dorëheqjet e kryetarëve atje nuk ishin për shkak të dhunës së Kosovës. Ne nuk kemi bërë kurrfarë dhune mbi kryetarët e komunave kur u tërhoqën vitin e kaluar. Institucionet mbetën vakante dhe shteti i Kosovës nuk pati zgjidhje tjetër vetëm t’i shpallte zgjedhjet atje. Kjo u bë pas dakordimit me SHBA-në që zgjedhjet të shtyhen për pesë muaj. Dy opsione i kishim ne: ose të dëgjohej Vuçiqi ose të procedonim siç thotë Kushtetuta, e ne e zgjodhëm versionin e dytë, nuk ka diskutim për këtë”,  ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se problemi në veri fillon me grupet e armatosura e të paligjshme të cilat po e sfidojnë shtetin.

“Jemi të brengosur për situatën në pjesën e veriut të Kosovës. Kjo nuk do të thotë që ne ta humbim fokusin nga ajo që duhet ta bëjmë si shtet dhe si institucione. Besoj që kryefjala e situatës nuk është shqetësimi, as brengosja, por aftësia jonë për t’i kryer detyrat tona shtetërore që të garantojmë qetësi dhe siguri në atë pjesë të vendit. Siç po shihet problemi fillon me grupe të armatosura, të rrezikshme, e të paligjshme të cilat sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarët policorë duke ua pamundësuar atyre kryerjen e detyrave që i kanë me Kushtetutë”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ndërkohë, PDK dhe LDK kanë kërkuar që kryeministri Kurti të raportojë para ligjvënësve për situatën në veri, derisa AAK ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

 “Ramë dakord që mbledhja e radhës të jetë për raportim të kryeministrit”, ka thënë Arben Gashi nga LDK.

Ndërsa Besnik Tahiri nga AAK tha se është me rëndësi nisja e mocionit të votëbesimit për kryeministrin Kurti. Ne kemi kërkuar dje që ai të dorëhiqet”, është shprehur ai.

Në emër të PDK-së, Abeled Tahiri ka thënë se nuk ka asnjë kuptim mbajtja e seancave të rregullta.


MË SHUME NGA Lajme