Osmani: Kosova e përkushtuar për koordinim me partnerët ndërkombëtarë
BKT
Lajme

Osmani: Kosova e përkushtuar për koordinim me partnerët ndërkombëtarë

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të  dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Bëhet e ditur se në këtë  takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.

“Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

Gjithashtu bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Në takim me presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani nga Kishinau: Temë, zhvillimet e fundit dhe angazhimi për paqe

May be an image of 6 people

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu pas takimit të sotëm në Kishinau të Moldavisë me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz dhe presidentin  Francës, Emanuel Macron, tha se takimi me partnerët është kyç.

Osmani, në një postim në Facebook, tha se në takimet e sotme me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholzm, presidentin e Francës, Emanuel Macron dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç. Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.

Kosova u përfaqësua në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

 


MË SHUME NGA Lajme