Prelec: Situata në veri i ka dëmtuar marrëdhëniet e veçanta Kosovë - SHBA
Përgatiti: N.M./RTKlive
Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, ka theksuar se situata në veri të Kosovës është shumë serioze dhe mund ta frenojë në një masë të paparashikueshme procesin e pajtimit dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë. Duke folur për sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, ai, tha se zhvillimet e fundit i kanë dëmtuar marrëdhëniet shumë të veçanta ndërmjet dy vendeve.
“Kjo është një situatë shumë serioze që ka potencialin të ndezë njëfarë dhune reale, potencialisht me humbje jetësh. Tashmë ka një numër mjaft të madh të personave të lënduar dhe të plagosur dhe përtej kësaj, ajo ka potencialin të frenojë në një masë të paparashikueshme procesin e pajtimit dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë, por në mënyrë shumë domethënëse”, tha Prelec në një një intervistë me Zërin e Amerikës.
Prelec tha se SHBA-ja asnjëherë nuk i ka vendosur sanksione Kosovës më parë, dhe zakonisht është përmbajtur edhe për të kritikuar udhëheqësit e Kosovës në publik të paktën, edhe në raste kur nuk ishte e kënaqur me veprimet e tyre.
Kjo, sipas tij, sepse SHBA, e ndjejnë një lloj “përgjegjësie atërore” për rolin e tyre për t'i dhënë fund represionit serb ndaj qytetarëve të Kosovës nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja në vitin 1999 dhe më pas në të qenit një nga ‘patronët’ e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.
“Pra, ka shumë besnikëri në Uashington dhe sigurisht administrata e (Joe) Biden dhe njerëzit brenda saj, shumë prej tyre, përfshirë vetë presidentin, ishin shumë të angazhuar në të dyja këto veprime, pra, si senator, ishte shumë i interesuar për Kosovën. Kështu që mendoj se ka ende një shkallë besnikërie në Shtetet e Bashkuara ndaj Kosovës, por nuk është, nuk është pa fund dhe kjo e ka dëmtuar qartë atë marrëdhënie shumë të veçantë”, ka thënë postjerash Prelec.























