Analistët: Zgjedhjet në veri të mundshme, por (s)janë zgjidhje
BKT
Lajme

Analistët: Zgjedhjet në veri të mundshme, por (s)janë zgjidhje

N.M. /RTKlive

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të mbahen zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës. Këtë e konfirmoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për RTK. "Ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të Kushtetutës ë Kosovës për zgjedhjet lokale", ka thënë ajo.

Për këtë temë u debatua edhe në emisonin e sotëm “RTK Prime”, me analistin, Ermal Sadiku, Hysen Gecajn, ushtarak në pension dhe Flamur Hyseni, profesor i së drejtës.

Ky i fundit tha se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, në parim janë të mundshme për shkak të gjendjes së sigurisë atje, por sipas tij shikuar në aspektin ligjor i bie se është një marrëveshje tjetër që po e detyron dorëheqjen e kryetarëve, të ligjshëm të cilët në një rrugë ligjore, demokratike kanë marr një mandat. Zgjedhjet, tha ai, ishin legjitime dhe ligjore edhe pse ka patur disa kontestime.

“Nëse imponohen prapë zgjedhjet të parakohshme kjo po i bie që kemi një dorëheqje të planifikuar për shkak të rrethanave të pamenaxhueshme për shkak të një bande kriminale dhe e pamenaxhueshme realisht, deri më tani për shkak të mospërdorimit të forcës nga ana e Policisë së Kosovës. Kjo për shkak të mesazheve të miqve tanë. I bie se ne po luajmë me legjitimitetin e legalitetin e zgjedhjeve atje”, tha prof. Hyseni

Sipas tij, problemi këtu është se pse duhet të shkohet në zgjedhje kur këtë e kërkon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurse analisti Ermal Sadiku thotë se shkuarja në zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës bie ndesh me idenë e demokracisë dhe shtetësisë.

“Herën e parë u bë një kompromis për shtyrje të zgjedhjeve. Problemi është se ata prapë mund të mos dalin në zgjedhje. Kjo kërkesë e ndërkombëtarëve sigurisht se do të zbatohet, kjo për fat të keq”, tha ai.

Qeveritë e deritashme, sipas tij kanë bërë mjaft lëshime për atë pjesë të vendit. Ai përsëriti se zgjedhjet në veri janë legjitime. “Kurdo që po tentohet të bëhet diçka në veri, gjithherë po atakohen me antindërkombëtarizëm, antiamerikanizëm. Ndërkombëtarët po kërkojnë të veprohet në mënyrë demokratike por nga ana tjetër kur po veprohet ata po ndërhyjnë”, tha Sadiku.

Kurse ish-ushtaraku dhe eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj foli për aspektin e sigurisë në veri të vendit. Ai tha se komanda e KFOR-it ka të drejtë kur prezanton situatën, për dhunën, rrezikun për viktima të mundshme po të mos ishte prezenca e tyre atje, sepse ata kanë inteligjenten e vet atje dhe e njohin situatën, kanë informacione.

“E dimë që NATO nuk përbëhet vetëm prej një shteti, por prej shumë shteteve që kanë inteligjencën e tyre dhe informojnë komandantin e KFOR-it me atë që po ndodhë në Kosovë, por edhe në rajon. Me të drejtë komandanti i KFOR-it e ka shprehur këtë shqetësim për dhunën atje”, tha Gecaj.

Sipas tij, veriu nuk është vetëm çështje ligjore por edhe çështje e sigurisë, kjo është edhe më e vështirë, më e komplikuar dhe për këtë sipas tij duhet pasur kujdes.

“Siguria në Kosovë është e lidhur me situatën në Ukrainë. Rusia duke mos patur suksese atje e ka edhe opsionin e zgjerimit të frontit në rajon dhe punëtori më i zellshëm për këtë është Aleksandër Vulin”, tha pos tjerash Gecaj.


MË SHUME NGA Lajme