Kuvendi, Selmanaj: Kosova e Serbia, pengje të Kurtit e Vuçiqit
Jeton Musliu/RTKlive&M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Deputeti Driton Selmanaj, në fillim të fjalimit të tij përkujtoi gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë, por edhe në sektorë të tjerë, derisa vlerësoi se me veprime të tilla, të pamatura, po çojmë mesazh të keq te qytetarët.
“Sa herë na duhen për interesa personale, ne vëmë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit”, u shpreh Selmanaj, ndërsa vuri në dukje se “Kosova dhe Serbia, sipas tij, janë pengje e të dy personave: Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, të cilët po e shfrytëzojnë veriun e vendit, sa herë që kanë telashe të brendshme politike”.
“Sa herë që kryeministri Kurti e vëren përmes sondazheve se diçka nuk po funksionon si duhet, nis njësitë speciale, ndërsa, në anën tjetër, Vuçiqi nis ushtrinë, si në skena të filmave deri në kufi të Kosovës”, theksoi deputeti Selmanaj.
(E plotësuar)Shala: Fjalimi i kryeministrit Kurti, një raport policor
Deputeti Ferat Shala, në seancën e sotëm të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet gjendja në veriun e vendit, për fjalimin e kryeministrit Kurti u shpreh se fjalimi i tij i ngjan një raporti policor.
“Ne sot kemi pritur qe kryeministri të jetë me ne gjatë tërë seancës. Se do të duhej ta përfundonim bashkërisht këtë debat tërë atë që pamë dhe referoi më shumë se një raport policor me të dhëna statistikore, me udhëtime jashtme Kosove të strukturave ilegale nuk kuptuam gjë”, tha deputeti Shala, derisa shtoi se kishte pritur që sot të gjenin zgjidhej të problemit.
Ai më tej, në mungesë të kryeministrit Kurti, shtroi një varg pyetjesh që kërkonin përgjigje nga kryeministri Kurti, të cilat kishin të bënin me situatën e tanishme në vend.
Tutje, deputeti Shala shtoi se me lojën politike të kryeministrit Kurti, me veprimet e kësaj qeverie po e betonizojnë politikën serbe në veri të vendit, duke prishur rendin ligjor e kushtetues.
(E plotësuar)Kryeziu: Qeverisjet e kaluara i kanë amnistuar kriminelët në veri

Seanca e pasdites ka filluar me diskutimin e deputetes nga radhët e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, e cila foli për situatën në veri të vendit.
Ajo kritikoi qeverisjet e kaluara, për gjendjen e tanishme që po mbretëron tani ne veri të vendit, përderisa, sikundër tha ajo, keni amnistuar kriminelët me votën tuaj.
“Nga kjo shtëpi e shenjtë e demokracisë i keni dhënë imunitet kriminelëve serbë”, deklaroi ajo.
Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:30
(E plotësuar, ora 14:10) Pas një debati disa orësh, Kuvendi i Kosovës, ka shkuar në pushim deri në orën 15:30.
Pozitë-Opozitë përplasen për situatën në veri|Video
Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës mbi situatën e fundit në veri të Kosovës. Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se gjendja atje është zinxhir i ngjarjeve.Sipas saj, situata atje nuk është sekuencë e shkëputur e një ngjarje ‘ad hoc’.
Ajo tha se situata në veri është zinxhir i ngjarjeve të cilat përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por kanë ndryshuar dinamikë.
“E tani po ndryshojnë edhe në përmbajtje”, tha ajo. Kusari-Lila u shpreh se perceptimi se në veri të vendit para një dekade kishte zhbërje të strukturave ilegale, doli të ishte tërësisht i paqëndrueshëm.
Në fjalën e tij, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri ftesë kryeministrit Albin Kurti, që bashkë të shkojnë në zyrat e komunave në veri të vendit.
Krasniqi tha se është lehtë të flitet nga Prishtina, por sipas tij, është mirë që të shkojnë bashkë në veri.
Ai reagoi edhe për atë që kryeministri Kurti tha se i duhet ndihmë për t’i çliruar serbët e Kosovës prej trysnisë së Beogradit.
“Kryeministri i Kosovës e paska qëllimin t’i çlirojë serbët. Çlirimtari i serbëve”, tha Krasniqi. “Shihi more punët e tua. Kosova është llugë e ti po më tregon se si duhet bërë parti politike në Beograd”, tha Krasniqi.
Ai i tha kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se po sillet si gazetar mediokër e jo si kryeministër.
Kreu i PDK-së, u shpreh se sot një javë, kryetarët e komunave veriore janë gënjyer se do të kenë takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e janë çuar në zyrë.
“I keni mashtruar duke iu thënë se keni takim me Elbert Krasniqin”. Ai foli edhe për kryetarin e Leposaviqit i cili nga e hëna është në zyrën e komunës.
“E ke mbyllur një kryetar si Oso Kukën atje, me kë është duke punuar ai. Por, pse s’po e çon Erden Atiqin në komunë, por e ke çuar në ndërtesë dytësore ashtu siç është edhe Izmir Zeqiri e Ilir Peci”, pyeti Krasniqi.
E në fjalën e tij në seancë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se gjithë këto reagime të ndërkombëtarëve, janë pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të kryeministrit Kurti.
Ai tha se reagimet e Sekretarit Blinken, pra Departamentit Amerikan të Shtetit, të Bashkimit Evropian, të NATO-s, e shteteve më mike të Kosovës, kundër shtetit tonë, kundër Republikës së Kosovës, popullit tonë, në një kauzë të drejtë, janë si pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm.
“Ky kryeministër i njëjtë i cili para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar po nga këta miq, mbi gjërat të cilat ai vet nuk i dinte si kryeministër”, tha Abdixhiku.
“Të njëjtën njerëz, të njëjtit aleatë sot janë naivë, nuk dinë, por ky di”, tha ai.
Kreu i LDK-së, u shpreh se vetëm me fajin e kryeministrit Albin Kurti, bandat në veri po operojnë dhe raportet me aleatët ndërkombëtar janë dëmtuar.
“Ky njëri ka proklamuar se është i formuar nga të njëjtit njerëz, që sot i ka kundër. Nga kjo përballje me bizën demokratike vendi ynë ka gjasa të mbes pa aleatë dhe këtë po e bën kryeministri jonë”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka kultivuar mosbesim ndaj aleatëve e sidomos ShBA-së.
“Në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim te aleatët e sidomos te aleati jonë ShBA e në disa raste i ka ngjarë Lavrovit”, tha Haradinaj.
“I mashtronte të papunët, i mashtronte të punësuarit, e kryeministri po vazhdon t’i mashtrojë aleatët tanë, garantët e sigurisë sonë dhe shikoni se mashtrime e tij janë rrezik i garanci sonë”.
Në fjalën e tij, Haradinaj u shpreh dueht vazhduar me mocion mosbesimi ndaj Qeverisë e mos të lejohet të shkohet në pabesi të radhës.
Ai tha se Kurti ka mbjellur dhe ka nxitur poshtërim të të gjitha figurave e vlerave të krijuara me mund.
“Disa i ka përvetësuar për ta fuqizuar pozitën e vetë të poshtërimit”, ka thënë Haradinaj.
“Mashtrimi deri në tradhti. Mashtrimi i Kurtit ka elemente tradhtie. Kurti po vazhdon të provojë të mashtrojë edhe aleatët e sigurisë”.























