Kuvendi i Kosovës mban të enjten dy seanca
BKT
Foto: Elmina Osmani/RTK
Lajme

Kuvendi i Kosovës mban të enjten dy seanca

Elmina Osmani / RTK

(Plotësuar) Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten të mbahen dy seanca. Në seancën e parë nga ora 10:00 do të trajtohet vetëm një pikë e ajo është Ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Kurse  e dyta që do të vazhdojë nga ora 11:00,  është seancë e rregullt.

Shefja e Grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se sa i përket kërkesës për përsëritje të zgjedhjeve në veri të vendit, u shpreh se dihen procedurat se si mund të bëhet kjo.

“Njëra është me dorëheqje të kryetarëve dhe tjetra është me mbledhje të nënshkrimeve të listës së votuesve dhe dorëzimi e shqyrtimi pastaj nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe vendosja për datën e zgjedhjeve”, tha Kusari –Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Gjithsesi ajo tha se mbetet të shihet se me çfarë forme, por se sipas saj, në çdo rrethanë, duhet parë forma demokratike e të parapa me ligj e jo në formën dhe mënyrën.

“Ajo çfarë nuk mund të pranohet është dhuna si standard të jetë ajo që ndryshon ose shtyn përpara kërkesat”.

 Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, sa i përket situatës në veri të Kosovës, tha se qëndrimi i kësaj partie është që çdo vendim të merret në koordinim me ShBA-në.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri megjithatë nuk ka treguar nëse dy kryetarët e kësaj partie në veri do të japin dorëheqje për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Qëndrimi i PDK-së është që të kemi angazhim të përbashkët me ShBA-në, është e dhimbshme të kemi sanksione të tjera”, tha Tahiri, sipas të cilit, nuk duhet që të cenohet rendi kushtetues, sepse cenohet edhe pavarësia e vendit.

Sipas tij, kryeministri Kurti e ka reduktuar sovranitetin e shtetit së Kosovës në oborrin e katër komunave.

“Krejt çfarë ka bërë në këtë periudhë, e ka krijuar një kaos në veri të Republikës së Kosovës”.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo parti ka qenë e sinqertë me Qeverinë.

Megjithatë, ai shtoi se  Lista Serbe e as presidenti serb Aleksandar Vuçiqi nuk mund ta kushtëzojnë Kosovën.

“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzoj Kosovën, e as Vuçiqi”, tha Tahiri, duke shtuar se Kosova ka institucionet e saj si shtet.Sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, Tahiri u shpreh se janë në diskutim me dy partitë tjera opozitare.

Para mediave, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, doli edhe Ismet Krasniqi, Sekretar i Kuvendit të Kosovës, i cili të hënën u pensionua.

Ai falënderoi të gjithë pa përjashtim për bashkëpunimin dhe tha se është munduar që t’i këshillojë të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë.

“Për juve medie faleminderit për punën tuaj të drejtë, pa asnjë lëshim e reagim që ka dëmtuar punën tonë”.

Nis mbledhja e kryesisë së Kuvendit, e fundit për Krasniqin si sekretar

Me këtë rast kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca ka njoftuar se sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi do të jetë prezent veç edhe në këtë mbledhje pasi që ai do të pensionohet.

Vetë Krasniqi shprehu  kënaqësinë me bashkëpunimin e e tij që kishte me të gjithë,  për 17 vjet  sa ai ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite dhjetëra pika

N.M/RTKlive 

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot për të shqyrtuar një sërë pikash të papërfunduara nga seancat e kaluara dhe për ta caktuar seancën e radhës, në të cilën parashihet të jetë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Pikë të tjera në këtë mbledhje do të jenë edhe miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt dhe 3 maj 2023 si edhe Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Ndërkohë do të mblidhet Komisioni për buxhet për ta shqyrtuar Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.


MË SHUME NGA Lajme