Tahiri-Beqa: Vizita e Escobar e Lajçak, për qetësimin e situatës në veri
M.Miftari/RTKlive
Analistja Tahiri -Beqa lidhur me vizitën e emisarëve Escobar e Lajçak ka të bëjë me kërkesat për riorganizimin e zgjedhjeve në komunat veriore, si dhe e formimin e Asociacionit, kërkesë e rikonfirmuar nga faktorët ndërkombëtarë, ngase, siç shprehet ajo , po mendohet se do të normalizojë situatën në veri të vendit.
Ajo më tej shtoi se për impaktin e këtij takimi mbetet të shihet më pastaj.
Analistja Tahiri-Beqa më tutje shtoi se situata e krijuar pas zgjedhjeve në veri, që, ndonëse ishin në një vijë të ligjshmërisë, u paraqit nevoja që të aktivizohen edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza e tanishme e që nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që, shtoi ajo, të vazhdohet më tutje me zbatimin e pikave të arrira në Bruksel e Ohër, drejt normalizimit të raporteve Kosovë Serbi.
“Ardhja e këtyre emisarëve ka të bëjë pikërisht me zbatimin e këtyre pikave, sigurisht se është i rëndësishëm se kontakti i drejtpërdrejtë sjellë alternativa të tjera për të dyja palët”, deklaroi analistja Tahiri-Beqa në “InfoPlus”, në RTK, derisa shtoi se pala serbe çalon dukshëm në zbatimin e pikave të marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.
“Kosova në situatën e tillë duhet ta nxjerrë ajsbergun e bisedimeve, të cilën ajo e ka bërë deri më tani me faktorët ndërkombëtarë dhe vendimet që merren, të jenë në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë”, shtoi analistja Tahiri-Beqa.
Ajo, mes tjerash, vlerësoi se situata e krijuar tani domosdo duhet të ketë takime në nivele të larta shtetërore ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Analistja Tahiri-Beqa konsideron se vizita e emisarëve Escobar e Lajçak ka të bëjë me qetësimin e situatës në veri, jo për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.























