Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun
BKT
Lajme

Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun

M.Miftari/RTKlive

(Plotësuar, 23:10) Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Kurti edhe përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit Lajçak para gazetarëve, shkurtimisht ka deklaruar se kanë pasur një bisedë të gjatë e të sinqertë me kryeministrin Kurti.

Më tej ai tha se kanë ardhur këtu për të gjetur zgjidhjen për të dalë nga situata aktuale në veri të vendit dhe përmendi atë çfarë i është ofruar kryeministrit Kurti.

“Kemi propozuar tri elemente:  De-eskalimi, apo shtensionimi i situatës; Zgjedhjet e shpejta në veri; Rikthimi i dialogut në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve", deklaroi Lajçak.

E  emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nuk ka parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. “SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

Ai, tutje, theksoi se realiteti është një çështje mes Serbisë dhe Kosovës, por "ajo që duhet ta dimë është se kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe raportit mes shumicës dhe pakicës”.

Në pyetjen se a ka dritë në fund të tunelit dhe cilat ishin detajet e bisedës së sotme Escobar shtoi: “Nuk ia vlen që të hyjmë në detaje të kësaj bisede sepse ka qenë një bisedë e gjatë, por ne kemi qenë të hapur në shkëmbim të ideve dhe koncepteve dhe ne shpresojmë se do të mund të japim lajme të mira në fund të procesit. Në interesin tonë është që të kemi kryetarë komunash që kanë edhe ligjshmëri edhe përfaqësim”, deklaroi ai.

Escobar tutje vuri në pah se është mbështetës i  madh të Kosovës, i pavarësisë së saj, duke shtuar se “krejt çka duam, është uniteti”.

Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve, Escobar deklaroi se “ne respektojmë autonominë e qeverisë së Kosovës dhe kushtetueshmërinë e Kosovës, por duhet të gjendet një harmoni mes grupeve etnike. Sulmi në ushtarët e KFOR-it është i papranueshëm”, tha në fund Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe situatës së tensionuar ditëve të fundit në veri të Kosovës.

(Plotësuar: 22:30)Takimi Kurti-Escobar-Lajçak do të zgjasë dy orë

Vazhdon ende takimi Kurti-Escobar-Lajçak

Tashmë janë bërë rreth dy orë qëkur ka nisur takimi në mes kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti dhe të përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të zgjasë dy orë.

Kështu bëri të ditur gazetari  i RTK-së, Hysni Demaku, i cili po e përcjellë ngjarjen nga atje.

(Plotësuar, 20:54) Escobar e Lajçak sapo hynë në takim me kryeministrin Kurti

Delegacioni i përbërë nga përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sapo hynë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Arsyeja e takimit merret vesh se po bëhet për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, në lidhje me hapat urgjent që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme