Prizreni synon që këtë vit ta zgjerojë zonën e gjelbër me 10 parqe|Video
Myrvete Axhami / RTK
Prizreni është shndërruar në destinacion turistik, sidomos gjatë fundjavave. Mirëpo, brenda qytetit ka pak zona të gjelbëruara të cilat mund të vizitohen. Aktualisht, Marashi dhe parku i qytetit janë vendet ku mund të gjenden hapësira të gjelbra.
Por komuna atje po synon që këtë vit të marrë leje për krijimin e 10 parqeve dhe miniparqeve në zonën urbane.
Xaja Hoti është mirëmbajtës i parqeve në komunën e Prizrenit . Ai ka 15 vjet që merret me këtë punë. Vitet e fundit ai thotë se hapësirat e gjelbra në Prizren janë duke u zgjeruar.
"Unë 15 vjet që punoj. Kur ka pas më shumë gjelbërim qyteti? Po tash ka më shumë gjelbërim, sepse i kanë mbjell disa breza të rrugëve dhe drunjë dekorativ ka më shumë", thote Hoti për RTK.
Qytetarët e Prizrenit po kujdesen vetë për mirëmbajtjen e parqeve pranë ndërtesave të tyre.
"Ne kemi, se këto ndërtesa janë të vjetra, të ndërtuara para sa vite, kemi hapësira, parqe e lulishte që i kemi mbjell e janë nxënë me ndihmën tonë", tha Esat Krasniqi - Banor i Prizrenit.
"E kam merak e mbikëqyri këtë parkun , krejt më thonë a po të paguajnë, jo nuk më paguan askush . Unë jam vullnetar, krejt në e mbajmë parkun , i kemi ujit me ujë krejt këto pemë kur janë mbjell, se mos ti kishim ujit krejt ishin tha , ja lulet jam tu i mbjell e kam merak", shprehet Islam Bytyqi - Banor i Prizrenit.
E disa të tjerë thonë se këtë vit është duke i kushtuar më shumë vëmendje ambientit në këtë komunë.
"Sivjet është duke u punuar mirë në krejt qytetin, sa më shumë gjelbërim më mirë është", Asllan Berisha - Banor i Prizrenit.
"Në këtë rendin që e shoh kur kaloj me autobus ma merr mendja që është mjaftueshëm, duhet hala me punuar diçka, por Shaqir Totaj si kryetar është tu punuar fantazi", tha Tosun Xhaferi – Kalimtar.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lama, i tha RTK-së se Komuna do të bëhet edhe me 10 parqe e miniparqe të tjera.
"Drejtoria e Shërbimeve Publike momentalisht është në përfundim të marrjes së lejes për krijimin e 10 parqeve dhe miniparqeve brenda territorit urban të qytetit të Prizrenit. Ato e kanë një kosto, por vlera e tyre është më e madhe sesa kostoja, kështu që ne qytetarëve do të ju ofrojmë një ambient sa më të pastër", tha Lama.
Aktualisht në Prizren qytetarë dhe vizitorë të cilët duan që kohën e lirë ta shfrytëzojnë në hapësira të gjelbra, atë mund ta bëjnë vetëm në Marash dhe Parkun e vetëm të qytetit.























