Përfundoi takimi me Osmanin, Lajçak e Escobar shkojnë te opozitarët
Arbresha A. Berisha /RTK
(E plotësuar, 11:06) Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, raporton Rtklive.
Pas takimit nuk pati deklarim për media, derisa të dy emisarët për pak minuta do të nisin takimin me liderët opozitarë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë mbërritur në zyrën e BE-së në Prishtine ku pas pak do të nis takimi mes tyre dhe dy emisarëve, Lajçak e Escobar.
Po ashtu edhe Goran Rakiq ka ardhur të zyra e BE-së.

Nis takimi Lajçak e Escobar me presidenten Osmani

(E plotësuar, 09:45) Ka nisur takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, raporton Rtklive.
Takimi me presidenten Osmani po mbahet një ditë pasi dy përfaqësuesit e posaçëm takuan mbrëmjen e së hënës, kryeministrin Albin Kurti.
Ndërsa pas takimit me presidenten raportohet se dy emisarët do të takohen me liderët e partive opozitare e Listën Serbe.
Gjatë ditës të njëjtit do të qëndrojnë në vizitë zyrtare edhe në Serbi.
Qëllimi i vizitës së dy përfaqësueseve të posaçëm në Kosovë është gjetja e një zgjidhjeje për shtensionimin e situatës në komunat veriore.
Të njëjtit gjatë takimit me kryeministri Albin Kurti kanë rikonfirmuar kërkesat e ndërkombëtarëve për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së qytetarëve serbë në këto zgjedhje si dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Osmani pret sot në takim Lajçakun dhe Escobarin

N.M. /RTKlive
Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, si dhe i dërguari i i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, sot do të priten në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
“Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar mbrëmë i ka takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se në këtë takim ka shprehur gatishmërinë “e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët në shtensionimin e gjendjes dhe normalizimin e marrëdhënieve”. Sipas tij, rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve.
I dërguari i posaçëm i BE-së dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar, i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti propozimin me tri elemente. I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna, si dhe rikthimi në dialog.























