Haxhiu:Është rritur numri i personave që kanë kërkuar ndihmë juridike falas
V. Thaçi / RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marr pjesë në konferencën “Të bashkuar për ndihmë juridike falas”, në kuadër të Javës së Ndihmës Juridike Falas.
Në këtë konferencë Haxhiu ka thënë se kanë ndërmarrë veprime konkret për çka edhe është rritur numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë juridike falas.
Ajo ka shtuar se përmes aktiviteteve të bashkërenduara dhe në bashkëpunim me donatorë dhe partnerë institucionalë, përgjatë kësaj jave do të përqendrohen në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet e ndihmës juridike falas, si dhe fuqizimin e qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre. Prandaj edhe këtë vit, java organizohet nën sloganin “Mbroje të drejtën tënde”.
“Qasja në drejtësi është një kriter i rëndësishëm dhe një shtyllë themelore e shoqërisë sonë. Ne si institucion përgjegjës kemi marrë veprime konkrete në mënyrë që të jemi shembulli më i mirë në përmbushjen e këtij obligimi kushtetues”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut si rezultat, në vitin paraprak janë shënuar rritje të numrit të qytetarëve përfitues të ndihmës juridike falas ngaqë është ndryshuar infrastruktura ligjore me plotësim ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas ku është shtuar numri i kategorive të veçanta përfituese.
Tutje ajo ka thënë se në vitin 2021 mbi 4 900 persona kërkuan këtë shërbim në vitin e shkuar numri është rritur për 30%.
Haxhiu sqaroi se vetëm gra kanë qenë 2619, dhe se në këtë kategori janë futur për herë të parë edhe gazetarët.
“Në vitin 2021, Agjencia ka ofruar ndihmë juridike falas për 4599 qytetarë të kategorive të ndryshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa në vitin 2022, ky numër është rritur për 30% dhe kjo e gjitha falë fushatave vëtëdijësuese dhe ndryshimeve ligjore të bëra në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Haxhiu njoftoi se Ministria e Drejtësisë është në proces të krijimit të akteve nën ligjore me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira në drejtim të përmbushjes së obligimit ligjor ndaj qytetarëve, që të sigurojmë qasjen në drejtësi dhe shërbime cilësore për të gjithë.
Ajo për fund, falënderoj USAID - Projekti për Drejtësi, GIZ- I Gjerman dhe të gjithë partnerët tjerë, të cilët në vazhdimësi kanë kontribuar për avancimin e sistemit të ndihmës juridike falas në Kosovë.
“Shteti duhet të jetë përherë në ndihmë të qytetarëve, kurse ata me punën dhe angazhimin e tyre në progresin zhvillimor të shtetit”, ka thënë Haxhiu.
Po ashtu nga kjo Konferencë Haxhiu bëri thirrje që të përcillen edhe aktivitetet të tjera të javës, me qëllim të informimit sa më të mirë të publikut, ku do të bëhen përpjekje që të arrihet të informohen grupet më të ndjeshme dhe të cenueshme për shërbimet tona.























