Abdixhiku pas takimit me Escobar e Lajçak, i kërkon presidentes qartësi
J.Musliu/RTKlive
“Kosova po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti”.
Kështu deklaroi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit që pati me emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe atë evropian, Miroslav Lajçak.
Kreu i partisë së dytë opozitare në vend u shpreh para mediave se është shqetësuese edhe mosgatishmëria e Kurtit që të koordinohet me aleatët.
Abdixhiku tha se Kosova mund të ketë edhe pasoja të tjera nga ShBA-ja, BE-ja e NATO.
“Po futemi në një situatë bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë”, tha Abdixhiku.
“Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë u mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA, BE dhe NATO”.
Abdixhiku tha se shpreson që kryeministri të reflektojë dhe i bën thirrje presidentes të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën.























