Escobar: Asociacioni është `kërkesë ligjore` për Qeverinë e Kosovës
Lajme

Escobar: Asociacioni është `kërkesë ligjore` për Qeverinë e Kosovës

REL

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.

Ai theksoi se SHBA-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë edhe Kosovën, edhe Serbinë që ta zgjidhin këtë krizë në një mënyrë që përfitojnë të dyja palët.

Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është "kërkesë ligjore" për Qeverinë e Kosovës.

"Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me
qeverinë e ardhshme", tha Escobar.

Sipas tij, të dyja palët - Kosova dhe Serbia - duhet të përqendroren në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.

"Unë ende mendoj se mund t'i kemi të gjitha elementët, shumicën e elementeve, të realizuara këtë vit kalendarik", tha Escobar.

I pyetur nëse sheh ndonjë ndikim të Rusisë në këtë situatë, ai tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe se ajo nuk është e interesuar të shohë zgjerim të Bashkimit Evropian.

"Ajo që po ndodh tani në Kosovë, është një problem i pazgjidhur prej kohësh mes grupeve të ndryshme. Ai ka ekzistuar para krizës aktuale në Ukrainë, por kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishëm për t'u zgjidhur. Por, [problemi] nuk gjeneron tërësisht nga Rusia", tha Escobar.

 

(Marrë me shkurtime nga REL. Titulli nga RTKlive. Ai në origjinal: Escobar: Vuçiq do ta shfrytëzonte ndikimin për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje)


MË SHUME NGA Lajme