Escobar: Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton që ne po përpiqemi
BKT
Foto: REL
Lajme

Escobar: Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton që ne po përpiqemi

REL

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

"Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen".

"Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte", tha ai.

Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Një ditë më herët, dy diplomatët qëndruan në Prishtinë. Udhëtimi i tyre vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kriza atje, që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Derisa protestat vazhdojnë ende, Escobar dhe Lajçak dolën me tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kurti nuk dha asnjë shenjë se i ka pranuar këto kërkesa dhe për tensionet në veri fajësoi "bandat kriminale serbe", të dirigjuara nga Beogradi, për të cilat tha se duhet të tërhiqen.

Escobar, i cili një ditë më herët e kritikoi ashpër Kurtin për "mungesë bashkëpunimi" në shtensionimin e situatës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.

Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

"Sfida më e madhe për Serbinë tani është t'i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]", tha Escobar.

"Kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur", tha zyrtari i lartë amerikan.

I pyetur nga gazetarët nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe Lajçakut do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.

"Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet", tha Escobar, duke shtuar se nuk i ka dhënë ndonjë afat Kurtit.

Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën "është i hapur". Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, "kjo vetvetiu është një pasojë".

(Marrë me shkurtime nga REL. Titulli nga RTKlive. Ai në origjinal: Escobar: Vuçiq do ta shfrytëzonte ndikimin për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje)


MË SHUME NGA Lajme