Kearns dhe Kurti flasin për nevojën për të de-përshkallëzuar situatën
BKT
Foto: Nga profili në Twitter i Alicia Kearns
Lajme

Kearns dhe Kurti flasin për nevojën për të de-përshkallëzuar situatën

A.B/ RTKlive

Alicia Kearns, kryetare e Komisionit për Politike të Jashtme në Parlamentin britanik, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mirë të flasësh me Albin Kurti, në fillim të kësaj jave lidhur me situatën në Kosovë, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të folur qartë për faktorët destabilizues”, ka shkruar ajo sot në Twitter, raporton RTKlive.

Ndryshe këtë javë në parlamentin britanik është diskutuar për situatën në Kosovë. Deputetja konservatore në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, derisa ka folur për krizën në veri të Kosovës, ka bërë thirrje që të adresohet me urgjencë kriza në veri të Kosovës dhe ka kërkuar përgjigje nga qeveria britanike për presionin e tepruar të aleatëve ndaj Kosovës.

Bojkotin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, Kearns e ka quajtur interferim të jashtëm, nga Serbia.

“Po qe se forcat armiqësore ta merrnin në kontroll një zyrë kryetari në Britani të Madhe, ne nuk do të thoshim, epo mirë shko dhe puno nga shtëpia, por do të thoshim që kjo është një përpjekje për ta ngulfatur demokracinë”, ka thënë Kearns në fjalimin e saj.

 Ndërkaq, ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme dhe Zhvillimit, në Britaninë e Madhe ka thënë se ka angazhime konkrete të Britanisë së Madhe për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme