Procesi i gjykimit në Hagë po shkon ngadalë dhe me disa mangësi
Arlinda Sejda/ RTK
Punën e Dhomave të Specializuara në Hagë e kanë përcjellë edhe ish-prokurorë e juristë në Kosovë.
Ata thonë se ka disa mangësi në këtë proces, si ajo e numrit të dëshmitarëve, që sipas ish-prokurorit Ibrahim Berisha, ka mundur të reduktohet, pasi sipas tij, disa edhe po tërhiqen dhe s'kanë dëshmi relevante, raporton RTKlive.
Ibrahim Berisha, i cili një jetë të tërë po ia kushton drejtësisë, ish-prokuror, gjykatës dhe avokat, me vëmendje po e përcjell procesin në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Berisha nga aspekti ligjor rendit disa mangësi që po e përcjellin këtë proces. Ai tha se ky proces po stërzgjatet, ndërsa theksoi se Gjykata e Prokuroria janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës dhe sipas dispozitave të kodit të procedurës penale, duhet t`u përmbahen rregullave dhe procedurave që i përcakton ky kod.
Avokati Florim Shefqeti tha se ia ka bërë një analizë aktakuzës, derisa foli për gjetjet. “Cili është kriteri matës i prokurorisë se si do ta matë se si një i dëmtuar para 23 viteve mos të ketë qenë i ngopur me bukë, apo me ujë dhe për me tepër cilat kanë qenë kushtet të cilat vet prestarët i kanë pasur”, tha ai për RTK.
Njohësit e proceseve të drejtësisë thonë për RTK se për të kryer një vepër, duhet saktësisht të manifestohen elementet dhe tiparet e asaj vepre, dhe mbi bazën e tyre, Prokuroria t'i argumentojë para Gjykatës veprimet inkriminuese të secilit person i cili ngarkohet.
Ata theksojnë se pa pasur prova bindëse të mjaftueshme, ka probleme dhe vështirësi për të arritur deri te një epilog i mirëfilltë























