Kurti: Kelmendi falë përkushtimit e qëndrueshmërisë u bë kampione
BKT
Lajme

Kurti: Kelmendi falë përkushtimit e qëndrueshmërisë u bë kampione

F. Sertolli / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar si simbol të suksesit xhudisten e njohur, Majlinda Kelmendi, duke thënë se ajo u shndërrua në kampione falë përkushtimit e qëndrueshmërisë ndaj vështirësive.

Sipas tij, përmes programit e dedikuar për xhudon po synohet të zhvillohet edhe më tej ky sport e po ashtu edhe që talenteve t’u krijohet hapësira e nevojshme.

“Në kuadër të programit "Kosova, Shtet i Xhudos", dje ishim pjesëmarrës në aktivitetin demonstrues të kampiones tonë Olimpike, Majlinda Kelmendi. Në palestrën e qytetit të Mitrovicës "Minatori" e cila ishte mbushur përplot me nxënës entuziast për të takuar Majlindën, ajo së bashku me xhudistë të tjerë demonstruan teknika profesionale të sportit të xhudos”, ka shkruar i pari i qeverisë Kurti.

Ai tha se Majlinda Kelmendi është simbol i suksesit në Republikën e Kosovës.

“Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë. Përmes programit të xhudos, përveç që po sigurojmë zhvillimin e sportit në vend, njëkohësisht po krijojmë mundësi për të rinjtë tanë që të shprehin talentin e tyre, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm si dhe të jenë të suksesshëm. Uroj që shumë të tjerë të ndjekin rrugën e suksesit të Majlindës, Norës dhe Distrias. Kosova është shtet i xhudos”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook!


MË SHUME NGA Lajme