Letërsia shqipe shënon 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos
BKT
Kulturë

Letërsia shqipe shënon 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos

Arben Veselaj, RTK-Radio

Krahas 100-vjetorit të lindjes së Jakov Xoxës, 120-vjetorit të lindjes së Ernest Koliqit, këtë vit letërsia shqipe shënon edhe 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos (Dhërmi, 1913 - Tiranë, 1991).

Petro Marko ishte poet, romancier, gazetar, i burgosur politik, luftëtar e intelektual i panënshtruar. Letërsia shqipe e shekullit XX do të ishte shumë e varfër pa romanet e Petro Markos.

Romanet e tij me temë nga lufta e Dytë Botërore, sidomos “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit”, shënuan një kthesë të jashtëzakonshme drejt modernitetit të romanit shqiptar.

Me romanet e tij, Petro Marko solli vlera të panjohura më parë në traditën letrare shqipe;  e bëri letërsinë shqiptare pjesë të së ashtuquajturës “Letërsi e brezit të humbur”, e cila shkriu në letërsinë e madhe tmerret dhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore, me autorët si: Erich Maria Remarque, Ernest Hemingway, George Orwell, Stefan Zweig etj.

Tema e luftës në romanet e Petro Markos ka karakter mbinacional dhe tropos paneuropian. Romanet e Petro Markos reflektojnë triumfin e të drejtës, humanizmit dhe dashurisë, mbi urrejtjen, krimin dhe gjenocidin e ideologjisë fashiste e naziste në Evropë.

Petro Marko, si në jetë ashtu edhe në letërsi, pati një fat shumë të ngjashëm me simendimtarin e tij anglez, George Orwell-in; që të dy i vrau ëndrra mashtruese  e internacionalizmit proletar. Si veteran i luftës vullnetare të Spanjës (1937), Petro Marko nuk arriti të pajtohej dot me instalimin e një shtetit diktatorial në Shqipëri, pas vitit 1947. Për shkak të mospajtimeve politike e ideologjike ai u burgos nga regjimi komunist dhe, për një kohë, iu ndalua botimi i veprave që shkruante.

Por, pavarësisht burgosjes dhe anatemimit si shkrimtar, Petro Marko mbeti intelektual jokonformist deri në fund të jetës. Ai nuk u përkul para presioneve për të shkruar vepra që propagandonin ideologjinë e partisë-shtet.

Sipas njërit prej studiuesve më të njohur të jetës dhe veprës së tij, Ali Aliut, të rrallë janë ata shkrimtarë si Petro Marko që kanë mundur të ruajnë me aq konsekuencë dhe fanatizëm dinjitetin e krijuesit dhe të njeriut, të arrijë sintezën harmonike mes njeriut dhe shkrimtarit.

Veprat më të njohura të Petro Markos janë: “Hasta la vista”, Tiranë, 1958; “Horizont”, Tiranë, 1959; “Halimi”, Tiranë, 1959; “Qyteti i fundit”, Tiranë, 1960; “Shpella e piratëve”, Tiranë, 1964; “Ara në mal”, Tiranë, 1967; “Një emër në katër rrugë”, Tiranë, 1972; “Nata e Ustikës”, Tiranë 1989; “Fantazma dhe plani 3+4”, Tiranë 2000; “Intervistë me vetveten”, Tiranë 2000.

Disa mendime rreth romanit të tij “Qyteti i fundit”  mund t’i ndiqni në emisionin “Libri” në valët e Radio Kosovës, këtë të premte prej orës 21:05.


MË SHUME NGA Kulturë