Bytyqi për mocionin: Presim ndihmën e opozitës
N.Mekolli /RTKlive
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti pas situatës së tensionuar në veri të vendit dhe presioneve nga SHBA-ja dhe BE-ja për uljen e tensioneve atje dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, në emisionin ‘Info Plus’ në RTK, tha se kjo parti po kërkon mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti dhe për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e partive opozitare.
“Ne kemi biseduar me partitë opozitare, por ende nuk kemi përgjigje, sepse ata, me gjasë, janë duke e biseduar në partitë e tyre këtë kërkesë tonën. Shpresojmë se shpejti do të marrim një përgjigje pozitive për këtë, sepse Qeveria Kurti është duke na dërguar drejtë një humnere”, tha Bytyqi.
Sipas saj, AAK-ja do të vazhdojë të kërkojë mocionin në mënyrë që ta dërgojë në shtëpi kryeministrin Albin Kurti, pasi që ai nuk po i pranon kërkesat e aleatëve.
“Tanë ai duhet të japë dorëheqje. Ne nuk jemi kundër sovranitetit të vendit. Për këtë kemi folur shumë herë, ajo çka duhet të bëjë Kurti është që të ulet me aleatët dhe të gjejë zgjidhje për veriun e vendit ose të japë dorëheqje”, tha Bytyqi
Kurse sa i përket çështjes së Draft-Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin sot e ka bërë publike kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se nëse ai draft është bërë pa koordinimin me kryeministrin Kurti, është i gabuar.
“Është dashur që të këtë një dakordim në mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti dhe ai draft është dashur të vijë në Kuvend. Në bazë të asaj që tha kryeministri Kurti nuk ka pasur një dakordim paraprak dhe mendoj se kryeministri Rama është dashur që, së pari, të dakordohet me kryeministrin Rama”, tha Bytyqi.
Ajo kërkon edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, një angazhim më të madh dhe koordinim më të mirë me kryeministrin Kurti dhe aleatët tanë.
Përndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.























