BE, SHBA dhe OSBE mirëpresin miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet
BKT
Lajme

BE, SHBA dhe OSBE mirëpresin miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet

N.Mekolli /RTKlive

Misioni i BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA dhe OSBE-ja përmes një deklarate kanë thënë se mirëpresin miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e Kuvendit sot.

“Në gusht të vitit 2022, Kuvendi kishte bërë tashmë një hap të madh në trajtimin e rekomandimeve të BE-së në fushën e financimit të fushatës përmes Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Që nga viti 2013, përmes vendosjes së misioneve me të drejta të plota për vëzhgimin e zgjedhjeve (EU/EOMs), BE-ja në Kosovë i ka monitoruar si zgjedhjet komunale edhe ato të përgjithshme dhe ka ofruar një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kornizës zgjedhore”, thuhet në reagimin e BE-së.

BE-ja, deklaron se është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Në korrik të vitit 2022, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, i cili e përfundoi me sukses dhe me konsensus punën e tij më 5 prill 2023. Komisionin e përgëzojmë për punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet tutje në reagimin e BE-së.

Misioni i BE-së në Kosovë i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.

“Gjithashtu kemi parasysh se disa nga rekomandimet teknike duhet të zbatohen në vazhdimësi dhe theksojmë se vlerësimi i përgjithshëm do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme. Përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor është një veçori e përhershme në çdo demokraci si dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim. Kjo duhet të bazohet në gjetjet dhe rekomandimet nga zgjedhjet paraprake që synojnë që në të ardhmen të sigurojnë zgjedhjet më të lira, më të drejta dhe më transparente, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në këtë reagim.

BE-ja në Kosovë e ka mbështetur Komisionin Ad-Hoc, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e Kosovës në këtë proces dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

E mbështetje miratimit të këtij ligji i ka dhënë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

“Një shembull i rezultateve të mira kur partitë punojnë së bashku dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Këto reforma e harmonizojnë më tej Kosovën me standardet e BE-së dhe forcojnë normat demokratike”, ka shkruar Hovenier, në Twitter.

Miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një postimi në Twitter, e ka përshëndetur edhe OSBE në Kosovë.

“Urime Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme sot me konsensus! OSCEKosovo është krenare që ka mbështetur Komisionin Ad Hoc për Reformën Zgjedhore dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca,  në finalizimin e këtij procesi”, shkruan OSBE në Twitter.

OSBE-ja thotë se mezi pret ta mbështet zbatimin e këtij ligji.


MË SHUME NGA Lajme