Ukshini: Ngjarjet e 10-12 qershorit kanë një histori të jashtëzakonshme
V. Thaçi / RTKlive
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Për këtë ngjarje ka folur Sylë Ukshini, profesor i historisë dhe ish-ambasador i Kosovës në Tiranë, i cili tha se kjo ngjarje ka një histori të jashtëzakonshme.
Ai tregon se, në atë kohë, në kanalet diplomatike ka pasur një dinamikë shumë intensive.
“Unë mendoj se 12 qershori, datëlindja e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Joscha Fischer, është pikënisja e rezolutës. Ai bën planin e paqes, respektivisht edhe bashkëpunëtorët e tij në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, themelojnë, vëjnë gjashtë pikat e para për një plan”, tha Ukshini në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ukshini rrëfeu se në atë kohë, kur Fischer ka bërë këtë plan, Ollbrait, Rusia edhe disa aleatë evropianë kanë reaguar në mënyrë të ftohtë, duke e parë si një lëkundje të Gjermanisë në procesin e fushatës së bombardimeve të NATO-së kundër Jugosllavisë së mbetur.























