Kurti e Imeri flasin për rëndësinë e dialogut social e kontratën kolektive
Uran Krasniqi / RTKLive
Dialogu social ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave dhe kontrata kolektive kanë qenë temat e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetares së Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri.
"Të dy palët u dakorduan për dinamizim të këtij procesi të rëndësishëm", ka njoftuar Qeveria.
"Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pritën sot në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, znj. Tevide Imeri.
Gjatë këtij takimi, u fol për rëndësinë e dialogut social ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave dhe kontratën kolektive. Të dy palët u dakorduan për dinamizim të këtij procesi të rëndësishëm.
Kryeministri Kurti foli edhe për Ligjin e Pagave që tashmë ka disa muaj që është në fuqi dhe i cili Ligj ka siguruar mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë paga më të dinjitetshme, teksa mjeku specialist në Kosovë me këtë ligj ka një nga pagat më të larta në Ballkanin Perëndimor".























