Krerët e shtetit bëjnë nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të NATO-s
E. Podvorica / A. Bela & V.Thaçi
(E plotësuar, ora 11:00) Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë nderime edhe te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të NATO-s.
Osmani: Ushtarët e NATO-s hyn në Kosovë për t’i vënë vulën e çlirimit vendit tonë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot po festojmë historinë e ditës së Republikës së Kosovës, ditës kur shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm.
“Ne sot ne mëngjes nderuam vizionarët e shtetit tonë, dëshmorët, ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot", duke shtuar se kanë nderuar edhe ushtarët e NATO-s.
"Ata që nga 10 qershori hyn në Republikën e Kosovës për të ja dhënë vulën e çlirimit vendit tonë”, shtoi, më tej, Osmani.
Ajo deklaroi se e përsërisin mirënjohjen në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele, komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë.
Po ashtu, presidentja Osmani shprehi mirënjohje të përjetshme për të gjithë miqtë e Kosovës, të cilët ndihmuan që liria e pavarësia të jenë realitet, të cilin sot e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kurti: Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit
Pas nderimeve, kryeministri Albin Kurti ka thënë se sot përkujtojmë dhe festojmë 24 vjetorin çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë.
Kurti tha se përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës.
Ai shtoi se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë.
Konjufca: Dëshmorët dhe martirët janë në themelet e lirisë së shtetit tonë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjuca, tha se çlirimi i Kosovës është shembull më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm ndërmjet faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare.
Konjufca shtoi se ndalja e gjenocidit të Serbisë nuk mund të ndalej pa miqtë e çmuar ndërkombëtarë, por liria, tha ai, erdhi sepse kauza jonë ishte shumë e drejtë.
“Për këtë ditë dhamë edhe shumë, dhamë dëshmorët tanë, i dhamë martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë”, tha ai.
Në fund të deklarimit për media, Konjufca uroi të gjithë qytetarëve të Kosovës, 12 qershorin ditën e çlirimit sepse është njëra nga ditët më të çmueshme, më të rëndësishme të popullit të Kosovës.

Krerët e shtetit bëjnë homazhe te kompleksi memorial ‘Adem Jashari’
(E plotësuar, ora 09:55) Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, për nder të 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Pas homazheve te varri i presidentit Ibrahim Rugova, te ai i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi dhe në Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në orën 11:00, krerët e shtetit do të bëjnë nderim edhe te Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s.
Krerët e shtetit bëjnë homazhe te varri i presidentit Rugova dhe Demaçit
Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i Krerët e shtetit, Adem Demaçi për nder të 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës. 

Krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulesh te varri i presidentit Rugova dhe veprimtarit Demaçi.


Pas homazheve te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe te ai i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në orën 09:30, ata do të bëjnë homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Ndërsa, në orën 11:00, bëjnë nderim te Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s.























