Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, përplasen pushteti e opozita
M.Miftari/RTKlive&Qëndresa Duraku/RTK
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit sot dështoi për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se mungesat nga radhët e VV-së dëshmojnë se pushteti është joserioz karshi deputetëve dhe qytetarëve.
"Sa i përket mbledhjes së Kryesisë, në fakt, nuk ka arritur të mbahet, përveç kryetarit të Kuvendit, nuk ishin as përfaqësuesit e mazhorancës së LVV-së. Ishte një dështim i radhës i mbledhjes së Kryesisë. Tashmë ju jeni të vetëdijshëm se kjo mazhornacë nuk po arrin ta ketë shumicën as të kryesisë e as seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë dështuar, tash e një kohë, jashtëzakonisht të gjatë. Bllokimi dhe dështimi i Parlamentit, dështimi i agjendës Parlamentare është jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Ju e dini që ne si opozitë, normalisht, nuk mund ta përbëjmë shumicën, ne jemi pakica në Kuvend, megjithatë kemi luajtur një rol konstruktiv, kemi luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm”, deklaroi Abelard Tahiri.
Por, shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka demantuar Tahirin.
Sipas saj, nuk është e vërtetë se për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë.
“Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare 'NUK E BËJNË' kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim. Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se qasje e pushtetit tregon papërgjegjshmëri, duke shtuar se Kosova tashmë është e sanksionuar nga SHBA-ja, pasi krerët e institucioneve po e injorojnë situatën e krijuar.
"Mbledhja e Kryesisë edhe sot dështoi edhe po vazhdon dështimi i mbajtjes së seancave të rregullta. Do të kemi të enjten një seancë të vazhdimit të disa pikave. Janë dy çështje që dua t'i adresoj në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së. Ne e kemi thirrur një interpelancë, ministrin e Financave, Hekuran Murati për dy çështje: për koeficientin, i cili koeficient tepër zhgënjyes për zyrtarë publikë dhe për mungesën e investimeve kapitale në Kosovë. Kjo interpelancë nuk do të ndodhë për shkak se nuk do të ketë seancë. Dhe e dyta: që është tepër e rëndësishme, ju e shihni se si është gjendja në vend", deklaroi Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.























